IKSHPK: Vaksinimi ka eliminuar sëmundje të rrezikshme, vaksina MMR nuk shkakton autizëm

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rikujtuar se vaksinimi ka qenë ndër masat më të suksesshme të shëndetit publik në Kosovë për dekada me radhë, duke parandaluar dhe eliminuar shumë sëmundje që dikur ishin të zakonshme dhe shpesh fatale për fëmijët. Sipas IKSHPK-së, falë vaksinimit të rregullt sipas Kalendarit të Vaksinimit, sëmundje si…

Lajme

22/01/2026 17:49

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rikujtuar se vaksinimi ka qenë ndër masat më të suksesshme të shëndetit publik në Kosovë për dekada me radhë, duke parandaluar dhe eliminuar shumë sëmundje që dikur ishin të zakonshme dhe shpesh fatale për fëmijët.

Sipas IKSHPK-së, falë vaksinimit të rregullt sipas Kalendarit të Vaksinimit, sëmundje si paraliza e fëmijëve (poliomieliti) janë eliminuar, ndërsa difteria dhe tetanusi janë bërë shumë të rralla.

Po ashtu, është parandaluar rubella e lindur, e cila më parë shkaktonte verbëri dhe dëmtime të rënda, ndërsa fruthi – dikur një ndër shkaqet kryesore të hospitalizimeve dhe vdekjeve – është vënë nën kontroll falë vaksinës MMR (fruth–parotit–rubellë).

Instituti ka theksuar se vitet e fundit janë përhapur informacione të pasakta sipas të cilave vaksina MMR shkakton autizëm, duke sqaruar se këto pretendime nuk kanë asnjë bazë shkencore.

“Shkenca ka vërtetuar qartë se vaksina MMR nuk lidhet me autizmin. Këtë e konfirmojnë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Qendrat Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), si dhe studime të shumta ndërkombëtare që kanë përfshirë miliona fëmijë”, thuhet në njoftim.

Postimi i plotë:

Në Kosovë, për dekada me radhë, vaksinimi ka qenë një nga masat më të suksesshme të shëndetit publik. Falë vaksinimit të rregullt sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, sot fëmijët tanë nuk sëmuren më nga shumë sëmundje që dikur ishin të zakonshme dhe shpesh fatale. Sëmundjet si paraliza e fëmijëve (Poliomieliti) është eliminuar, difteria dhe tetanusi janë bërë shumë të rralla, Rubella e lindur, që shkaktonte verbëri dhe dëmtime të rënda, është parandaluar, ndërsa Fruthi, që dikur ishte shkaktari i shpeshtë i hospitalizimeve dhe vdekjeve, është vënë nën kontroll falë vaksinës MMR ( Fruth-Parotit-Rubellë). Gjithashtu, janë vënë nën kontroll dhe parandalohen me sukses edhe shumë sëmundje përmes vaksinimit.
Vitet e fundit janë përhapur disa informacione të pasakta që thonë se vaksina MMR shkakton autizëm. Kjo nuk është e vërtetë. Shkenca ka vërtetuar qartë se vaksina MMR nuk lidhet me autizmin. Këtë e konfirmojnë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Qendra Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), si dhe shumë studime ndërkombëtare që kanë përfshirë miliona fëmijë.
Vaksinimi është mënyra më e mirë për të mbrojtur fëmijët nga sëmundje të rrezikshme. Rreziku më i madh për shëndetin vjen nga mosvaksinimi, jo nga vaksinat. Vaksina MMR mbron nga fruthi, shytat dhe rubella. Fruthi nuk është sëmundje e lehtë – ai mund të shkaktojë komplikime serioze si infeksione të mushkërive, dëmtime të trurit dhe, në raste të rënda, edhe humbje jete.
IKSHPK rikujton se profesionistët shëndetësor janë burimi kryesor i informatave për prindërit për t’u informuar çdo herë për vaksinimin dhe rëndësinë e tij në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve./Lajmi.net/