Dogana godet kontrabandën: Sekuestrohen 237 mijë ambalazhe të paligjshme për cigare

Dogana e Kosovës ka sekuestruar 237 mijë ambalazhe të paligjshme për cigare gjatë një kontrolli doganor të realizuar në Prishtinë, bëhet e ditur përmes një komunikate zyrtare. Sipas Doganës, kontrolli është kryer nga Zyra Doganore në Prishtinë në kuadër të aktiviteteve të rregullta të kontrollit dhe menaxhimit të riskut, ndaj një dërgese të ardhur nga…

Lajme

22/01/2026 09:38

Dogana e Kosovës ka sekuestruar 237 mijë ambalazhe të paligjshme për cigare gjatë një kontrolli doganor të realizuar në Prishtinë, bëhet e ditur përmes një komunikate zyrtare.

Sipas Doganës, kontrolli është kryer nga Zyra Doganore në Prishtinë në kuadër të aktiviteteve të rregullta të kontrollit dhe menaxhimit të riskut, ndaj një dërgese të ardhur nga Turqia. Gjatë kontrollit të detajuar janë zbuluar dhe sekuestruar gjithsej 237,000 copë ambalazhe për paketimin e 20 cigareve, të cilat mbanin mbishkrimin “DRINA”,  shkruan lajmi.net.

Malli nuk ishte i deklaruar në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi dhe dyshohet se ishte i destinuar për prodhim apo paketim të produkteve të duhanit në kundërshtim me dispozitat ligjore. Sipas vlerësimeve, ky rast ka parandaluar humbje potenciale fiskale në vlerë rreth 340 mijë euro.

Dogana e Kosovës njofton se janë ndërmarrë menjëherë veprimet procedurale përkatëse, përfshirë sekuestrimin e mallit si dhe inicimin e procedurave administrative kundërvajtëse dhe hetimore, në bashkëpunim me institucionet kompetente.

Në komunikatë thuhet se Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e tregtisë së paligjshme, mbrojtjen e tregut dhe shëndetit publik, si dhe në garantimin e konkurrencës së ndershme për bizneset që veprojnë në përputhje me ligjin. /Lajmi.net/