Haradinaj përgëzon Osmanin: Ftesa e Donald Trump, lajm i mirë për Kosovën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka uruar presidenten Vjosa Osmani pas ftesës që mori nga presidenti, Donald Trump për të marrë pjesë në Bordin e Paqes në SHBA. Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar: “Është lajm i mirë ftesa e Presidentit Trump drejtuar Presidentes së…

Lajme

21/01/2026 15:15

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka uruar presidenten Vjosa Osmani pas ftesës që mori nga presidenti, Donald Trump për të marrë pjesë në Bordin e Paqes në SHBA.

Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar: “Është lajm i mirë ftesa e Presidentit Trump drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, veçanërisht në këto kohë tejet kritike për sigurinë globale. Pjesëmarrja e Kosovës dhe e Shqipërisë në Bordin e Paqes, si pjesëtare të një strukture ku marrin pjesë liderët e botës demokratike në përpjekje për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Trump, është një dritare shprese për ne”.

Sipas tij, kjo pjesëmarrje përforcon rolin e Kosovës si një faktor konstruktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global.

“Si dhe krijon mundësi konkrete për riforcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, i cili ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e sigurisë, shtetndërtimit dhe orientimit euroatlantik të Kosovës. Rikthimi i Kosovës si një partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik jo vetëm për garantimin e sigurisë kombëtare, por edhe për avancimin e interesave tona shtetërore, përfshirë integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit”, ka shkruar Haradinaj.