“Babës së tij ja jap veç një javë afat”- Dëshmi të reja nga momenti kur Arianit Sllamniku tenton ta bind në telefon prindin për terapinë e tij drejtuar fëmijëve
Video e fundit nga lajmi.net, tregon tentativën e Arianit Sllamnikut për të bindur prindin nga Franca të përdorë “protokollin” e tij me barna të kafshëve për trajtimin e fëmijëve me spektër autik. Në një video të siguruar nga hulumtimi i lajmi.net, Arianit Sllamniku shihet duke tentuar të bindë një prind nga Franca që të zbatojë…
Lajme
Video e fundit nga lajmi.net, tregon tentativën e Arianit Sllamnikut për të bindur prindin nga Franca të përdorë “protokollin” e tij me barna të kafshëve për trajtimin e fëmijëve me spektër autik.
Në një video të siguruar nga hulumtimi i lajmi.net, Arianit Sllamniku shihet duke tentuar të bindë një prind nga Franca që të zbatojë protokollin e tij, i cili përfshin përdorimin e barnave të kafshëve. Në komunikimin telefonik, Sllamniku përpiqet të bindë prindin duke e garantuar se do ta pranojë vetëm pas një jave, duke theksuar se vetëm pëlqimi i tij është i nevojshëm për fillimin e trajtimit.
“Te ky rast po duhka me u bind veç baba, se tjerat krejt kryhen e babës së tij ja jap veç një javë afat edhe ka mu bind edhe tani edhe baba çka do qe ka mi than ka me pranu“, thotë mes tjerash Sllamniku.
Po ashtu ky rast shkon në vazhdën e veprimtarisë së tij të dyshuar në Kosovë, ku ai reklamonte se “shëron autizmin” përmes barnave veterinare, duke i përdorur për fëmijët me spektër autik.
Lidhur me këtë rast menjëherë pas raportimeve të lajmi.net, Ministria e Shëndetësisë reagoi duke theksuar se shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional. MSh ka theksuar se qytetarët duhet t’i besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të ofruara nga profesionistë të licencuar.
Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime operative, duke arrestuar Arianit Sllamnikun për dyshimin e kryerjes së veprave penale: “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave”. Hetimet janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Ndërkaq, Inspektorati Shëndetësor dhe Farmaceutik ka mbyllur zyrën e Sllamnikut, e cila funksiononte si vend ku ai ofronte trajtime për fëmijët me spektër autik. Reagime ka pasur edhe nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, të cilat kanë theksuar rrezikun e përhapjes së metodave të pabazuara dhe manipulimeve mbi familjet dhe fëmijët. /Lajmi.net/
Për më shumë ndiqni videon e plotë: