Shefi i NATO-s thotë se po punon për zgjidhjen e çështjes së Grenlandës
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi më 21 janar se mënyra e vetme për zgjidhjen e krizës rreth Grenlandës është “diplomacia e matur”, duke shtuar se po punon “në prapaskenë” për këtë çështje. Kreu i aleancës ushtarake perëndimore, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, refuzoi të komentojë lidhur…
Bota
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi më 21 janar se mënyra e vetme për zgjidhjen e krizës rreth Grenlandës është “diplomacia e matur”, duke shtuar se po punon “në prapaskenë” për këtë çështje.
Kreu i aleancës ushtarake perëndimore, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, refuzoi të komentojë lidhur me synimet e presidentit amerikan, Donald Trump, për ta marrë nën kontroll këtë ishull, duke theksuar se diplomacia është më e rëndësishme sesa deklaratat publike.
“Ju siguroj se për këtë çështje po punoj në prapaskenë”, tha shefi i NATO-s gjatë një paneli në Davos.
Ai përsëriti se nuk do të prononcohet publikisht, pasi, sipas tij, “e vetmja mënyrë për ta zgjidhur krizën është diplomacia e menduar mirë”.
Rutte është udhëheqësi i vetëm që deri më tani ka konfirmuar se do të takohet me Trumpin në margjinat e forumit në Davos të Zvicrës.
Duke folur në panel, Rutte theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj aleancës, por shtoi se Amerikës i duhet “një Evropë e sigurt dhe një Arktik i sigurt”.
Ai theksoi se, sa i përket Arktikut, pajtohet me presidentin amerikan.
“Duhet ta mbrojmë Arktikun nga ndikimi rus dhe kinez”, tha Mark Rutte.
Ai po ashtu kërkoi që Evropa dhe SHBA-ja që mospajtimet për Grenlandën t’i shpërqendrojnë nga lufta në Ukrainë, që Rusia e nisi afër katër vjet më parë.
“Përqendrimi në Ukrainë duhet të jetë prioriteti ynë kryesor, është thelbësor për sigurinë evropiane dhe të SHBA-së”, u shpreh ai.
Trump më herët ka argumentuar se SHBA-së i duhet Grenlanda për të garantuar sigurinë kombëtare amerikane kundër rivalëve të Uashingtonit, Rusisë dhe Kinës.
Grenlanda, territor i Danimarkës me rreth 57.000 banorë, nuk është anëtare e pavarur e NATO-s, por mbulohet nga anëtarësimi i Danimarkës në këtë aleancë ushtarake. Një përpjekje për marrjen nën kontroll të Grenlandës do të përbënte rastin e parë në historinë e NATO-s që një aleat të cenojë territorin e një shteti tjetër anëtar të aleancës. REL