Para disa kohësh u thirr në stacion policor për armët, e dje në shtëpi iu gjetën edhe medikamente për kuaj e peshq
Çrregullimi i spektrit autik te fëmijët, është një nga sfidat me të cilën po përballen fëmijë të shumtë në Kosovë dhe jashtë saj. Madje probleme të shumta iu dalin edhe prindërve, për shkak se në Kosovë nuk ka kushte të veçanta të trajtimit e më pas të shkollimit për këta fëmijë. Por pavarësisht se shkenca…
Lajme
Çrregullimi i spektrit autik te fëmijët, është një nga sfidat me të cilën po përballen fëmijë të shumtë në Kosovë dhe jashtë saj.
Madje probleme të shumta iu dalin edhe prindërve, për shkak se në Kosovë nuk ka kushte të veçanta të trajtimit e më pas të shkollimit për këta fëmijë.
Por pavarësisht se shkenca , mjekësia më saktësisht nuk thotë kurrë se është sëmundje, por se duhet trajtuar si çregullim- ndryshe doli të thotë konspiracionisti kosovar, Arianit Sllamniku.
Madje në një deklarim të bërë për lajmi.net, Sllamniku deklaroi hapur se ai e “shëron autizmin”.
Të dielën pasdite, lajmi.net ka publikuar një hulumtim në lidhje me këtë teori të Sllamnikut, e ku prindër të cilët kanë biseduar me Sllamnikun për mënyrën e tij të “shërimit” të autizmit, kanë thënë se ai po iu jep fëmijëve barna për kafshë.
Përveç dëmeve që këto barna mund t’iu shkaktojnë fëmijëve, konsultat e terapia që Sllamniku ua përshkruante atyre ishin tejet të shtrenjta.
Madje siç ka mësuar lajmi.net nga burime të afërta Sllamniku ishte arritur që të përfitonte shuma të mëdha të parave nga këto raste.
Por Sllamniku ishte i njohur në publik për deklarime të çuditshme, e për organet e hetuesisë ishte i njohur edhe për çështje të tjera.
Pak kohë më parë, Sllamniku është dashur të paraqitet në stacionin policor në Gjilan në lidhje me armë që ai mbante, e që tani iu gjetën edhe gjatë bastisjes që u bë dje.
Por këto armë të zjarrit, në numër të shumtë Sllamniku i kishte me leje.
Lënë anash këtë, gjatë bastisjes që u krye dje, tek Sllamniku u gjetën edhe barëra të tjera të kafshëve, përpos atyre që i përshkruante në protokoll.
Aty u gjet xhel për ekzaminimin e parazitëve të ndryshëm te kuajt e medikamente për trajtimin e infeksioneve tek peshqit.
Në disa fotografi që publikoi Policia e Kosovës bien në sy medikamente të cilat përdoren direkt për tek kafshët.
Bëhet fjalë për “IverQuest” përdoret për eliminimin e parazitëve të brendshëm dhe parazitëve të jashtëm si morat dhe mizat te kuaj. I njëjti përdoret në formë të lëngshme si xhel për lyerje dhe përmes shiringave, transmeton lajmi.net.
Përpos xhelit për lyerje te kuajt, në shtëpinë e Sllamnikut janë konfiskuar edhe një sasi e konsiderueshme e një medikamenti i cili përdoret për të trajtuar infeksionet kërpudhore te peshqit, “Methylen Blue”.
“Methylen Blue” përdoret në akuariume për të mbrojtur peshqit dhe rritaj e tepërt e kërpudhave duke përmirsuar transportin e oksigjenit në gjak.
Në fotografinë e publikuar nga Policia e Kosovës janë vënë re edhe medikamente tjera me fotografi të kafshëve si lopë, kuaj e dhi.
Në këto fotografi nuk figurojnë “Fenbendazol dhe Ivermectine”.
Se autizmi nuk shërohet, ka thënë për lajmi.net edhe psikologu klinik Visar Salihu.
“Autizmi nuk shërohet sepse nuk është sëmundje”, ka thënë Salihu.
Çfarë solli ky hulumtim?
Një ditë pas publikimit të hulumtimit nga lajmi.net, Ministria e Shëndetësisë reagoi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Nga kjo Ministri, kanë thënë se kanë ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe rrjete sociale, se një individ ka ofruar ilaçe si trajtim për autizëm.
“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë. Lidhur me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore. Shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”, ka thënë mbrëmë Ministria e Shëndetësisë.
Përveç MSh-së, menjëherë ka reaguar edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, të cilët janë shprehur të shqetësuar thellë lidhur me rastin.
Sipas KOMF-it, përhapja e pretendimeve të pabazuara shkencërisht për “shërimin” e autizmit është e rrezikshme, sepse devijon vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve, si mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara dhe shërbime të bazuara në evidencë. Organizata gjithashtu thekson se promovimi i premtimeve mashtruese rrit pritshmëritë joreale, shton stigmatizimin e fëmijëve dhe presionin mbi familjet e tyre, duke nxitur keqkuptime mbi nevojat reale të fëmijëve me autizëm.
KOMF kërkon informim të përgjegjshëm, përmirësim të politikave publike dhe investim në kapacitete që fuqizojnë fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre. Sipas tyre, çdo përpjekje për manipulim, mashtrim apo eksperimentim mbi fëmijët me autizëm është e papranueshme dhe duhet të ndëshkohet nga organet e drejtësisë.
Dje, më datë 20 janar kanë ardhur veprime edhe nga institucionet e rendit.
Menjëherë në mëngjes, Policia e Kosovës e ka intervistuar Arianit Sllamnikun.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjilan, Ismet Hashani kishte thënë se rasti po trajtohet nga ana e Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
“Mund të ju konfirmojmë se në lidhje me rastin për të cilin keni pyetur, ky rast është duke u trajtuar nga ana e policisë së Kosovës në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet tjera përkatëse. Për vazhdimin e hetimeve lidhur me këtë rast do të ju njoftojmë me kohë”.
Pas intervistimit, Prokuroria Themelore në Gjilan ka thënë për lajmi.net se kanë autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprimet hetimore.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, sot me datë 20 janar 2026 ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin për të cilin jeni interesuar dje.Prokuroria Themelore në Gjilan, do të iu mbajë të informuar për veprimet e mëtutjeshme. Ju faleminderit për bashkëpunimin tuaj”, kanë thënë nga Prokuroria në Gjilan.
Menjëherë pas kësaj, Policia në Gjilan i kishte ftuar qytetarët që kanë pranuar shërbime apo konsulta me përdorim të ndonjë terapie apo medikamenti nga Arianit Sllamniku, që të paraqiten në Polici për intervistim.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan po ashtu njoftoi se është duke ndërmarrë veprime fillestare hetimore në drejtim të veprave penale ‘’Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’’ nga neni 256 i KPRK-së dhe ‘’Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave’’ nga neni 257 i KPRK-së, me qëllim të verifikimit të rrethanave të rasteve të dyshuara që ndërlidhen me trajtim shëndetësor të ofruar nga personi Arianit Sllamniku.
Policia e Kosovës, pas hetimeve që janë bërë sot, e ka arrestuar Arianit Sllamnikun.
Ata përveç arrestimit, edhe kanë kryer kontrolle në pronat e tij ku kanë gjetur katër armë zjarri, municion e medikamente të ndryshme, transmeton lajmi.net.
“Pas publikimit në mediat elektronike për veprimtari të dyshuar mjekësore, Policia e Kosovës konkretisht Sektori Rajonal i hetimeve DRP Gjilan, në bashkëpunim me institucionet dhe njësitë tjera relevante, bazuar në autorizimin e Prokurorit të Shtetit, më datë 20.01.2026 ka ndërmarrë veprime fillestare hetimore ndaj të dyshuarit A.S., (1978) M/K nën dyshimin se i njëjti në mënyrë të kundërligjshme ka ushtruar veprimtari mjekësore përkatësisht ka kryer veprat penale: Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, dhe eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave të sanksionuara me KPRK. Me qëllim të gjetjes dhe mbledhjes së provave, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, është ushtruar kontroll në pronat e të dyshuarit, ku prezent kanë qenë edhe inspektorët përkatës nga Ministria e Shëndetësisë të cilët kanë asistuar hetuesit policorë për sa i përket medikamenteve farmaceutike”, ka njoftuar Policia.
Ata gjithashtu kanë njoftuar se Sllamniku është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Përveç arrestimit të Sllamnikut, sot ka vepruar edhe Inspektorati Shëndetësor dhe Farmaceutik, i cili ka kryer kontrolle në zyrën e Arianit Sllamnikut, e cila funksiononte si një lloj “ordinance” për trajtimin e fëmijëve me spektër të autizmit, dhe e njëjta është mbyllur. Lajmi.net ka siguruar pamje nga zyra e cila tashmë është e mbyllur.
Sa vjet burg mund të dënohet Arianit Sllamniku?
Sllamniku është arrestuar në bazë të nenit 256 dhe 257.
Çka thonë këto nene, mbi të cilat po ndiqet procedurë penale ndaj Sllamnikut?
Neni 256 Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike
1. Kushdo që pa pasur kualifikimet profesionale apo autorizimet ligjore, kryen trajtime mjekësore, shërbime farmaceutike ose angazhohet në aktivitete tjera mjekësore për të cilat me ligj kërkohen kualifikime të posaçme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.
2. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor ose me dëmtim të rëndë të shëndetit të personit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. 3. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.
Neni 257 Eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave
1. Kushdo që pa autorizim ose në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm kryen eksperimente mjekësore, eksperimente të klonimit të njeriut apo eksperimente të ngjashme në njerëz, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet. 2. Kushdo që pa autorizim ose në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm kryen testime klinike të barërave, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet. GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 2 / 14 JANAR 2019, PRISHTINË.
Arrestimi i Arianit Sllamnikut dhe fillimi i hetimeve nga ana e institucioneve është sukses i arritur nga hulumtimi i lajmi.net, i cili ka sjell në dritë një gjë kaq të rrezikshme si ofrimi i barnave nga persona jo adekuat siç është Arianit Sllamniku./Lajmi.net/