Paris Guri kundër dorëheqjes së Lumir Abdixhikut

Kryetari i Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri ka deklaruar se është kundër dorëheqjes së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, duke theksuar se partia funksionon mbi baza demokratike dhe se vendimet merren nga organet e saj. Guri ka theksuar se asnjë vendim i marrë nga Abdixhiku nuk…

Lajme

20/01/2026 19:47

Kryetari i Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri ka deklaruar se është kundër dorëheqjes së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, duke theksuar se partia funksionon mbi baza demokratike dhe se vendimet merren nga organet e saj.

Guri ka theksuar se asnjë vendim i marrë nga Abdixhiku nuk është bërë pa konsultim dhe dakordim me Kryesinë e LDK-së, ndërsa përgjegjësia për rezultatin zgjedhor, sipas tij, është e përbashkët.

“Ndonëse të gjithë kemi përgjegjësi të përbashkët për rezultatin e LDK-së, kryetari duhet të marrë edhe përgjegjësinë kryesore mbi vete për rezultatin e treguar,” ka deklaruar Guri për infokusin.

Ai ka bërë të ditur se më 31 janar do të mblidhet organi më i lartë i partisë, ku do të diskutohen zhvillimet e fundit dhe çështjet kyçe për LDK-në. Sipas Gurit, Abdixhiku, ashtu siç e ka potencuar më herët, do ta paraqesë para Kuvendit dorëheqjen e tij.

Megjithatë, Guri ka theksuar se personalisht është kundër dorëheqjes së tij.

“LDK është parti demokratike dhe vendimet i merr përmes organeve të saj. Unë personalisht, si delegat i Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, jam kundër dorëheqjes së kryetarit,” ka përfunduar Guri.