Pse dështoi sot mbledhja e Këshillit Prokurorial të Kosovës?

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur sot takimin e parë për vitin 2026, i cili ishte paraparë të kishte karakter konstituiv për zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të këtij institucioni. Takimi u udhëhoq nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, dhe kishte në rend dite shqyrtimin e Rregullores për zgjedhjen e drejtuesve…

Lajme

20/01/2026 19:25

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur sot takimin e parë për vitin 2026, i cili ishte paraparë të kishte karakter konstituiv për zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të këtij institucioni.

Takimi u udhëhoq nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, dhe kishte në rend dite shqyrtimin e Rregullores për zgjedhjen e drejtuesve të KPK-së, si dhe shpalljen e thirrjes publike për kandidatura për këto pozita, në përputhje me ndryshimet ligjore në fuqi, transmeton lajmi.net.

Gjatë mbledhjes, anëtari i KPK-së nga shoqëria civile, Visar Krasniqi, propozoi që në rendin e ditës të përfshihej edhe certifikimi i rezultatit të procesit zgjedhor për anëtarin e Këshillit nga prokuroritë themelore. Ky propozim u hodh në votim dhe mori tri vota për dhe dy kundër.

Megjithatë, më pas nuk u miratua rendi i ditës ashtu siç ishte propozuar fillimisht, duke marrë dy vota për dhe tri kundër. Për shkak të mungesës së shumicës së nevojshme sipas ligjit, takimi u ndërpre pa u marrë vendime.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit bëri të ditur se anëtarët e Këshillit dhe publiku do të njoftohen me kohë për datën e mbajtjes së mbledhjes së radhës.

Njoftimi i plotë: 

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën udhëheqjen e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Agron Qalaj, ka mbajtur sot takimin e parë për vitin 2026, i cili kishte karakter konstituiv dhe funksionalizues për zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të KPK-së, me dy pika të rendit të ditës për shqyrtimin dhe miratimin e Rregullores për zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në përputhje me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe vendimit për shpalljen e thirrjes publike për kandidatura për Kryesues dhe Zëvendëskryesues të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Gjatë zhvillimit të këtij takimi, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Agron Qalaj, në cilësinë e kryesuesit të mbledhjes, hodhi paraprakisht në votim propozimin e anëtarit të KPK-së nga radhët e shoqërisë civile, z. Visar Krasniqi, që si pikë e parë e rendit të ditës të përfshihej certifikimi i rezultatit të procesit zgjedhor për anëtarin e Këshillit nga radhët e prokurorive themelore. Ky propozim mori tre (3) vota për dhe dy (2) vota kundër.

Në vijim, u hodh në votim edhe propozimi për miratimin e rendit të ditës, ashtu siç ishte paraparë në agjendën e propozuar për këtë takim. Edhe ky propozim nuk u miratua nga anëtarët e KPK-së, duke marrë dy (2) vota për dhe tri (3) vota kundër.

Meqenëse nuk u sigurua shumica sipas ligjit, Qalaj e shpalli të përfunduar takimin e sotëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke theksuar se anëtarët e KPK-së dhe publiku do të njoftohen me kohë për mbajtjen e takimit të radhës./lajmi.net/