Policia në Gjilan fton qytetarët e prekur nga trajtimet e dyshuara të Arianit Sllamnikut për bashkëpunim
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë së Hetimeve Rajonale dhe me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, ka njoftuar se është duke zhvilluar veprime fillestare hetimore lidhur me dyshime për kryerjen e veprave penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave”, të parapara me…
Lajme
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë së Hetimeve Rajonale dhe me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, ka njoftuar se është duke zhvilluar veprime fillestare hetimore lidhur me dyshime për kryerjen e veprave penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave”, të parapara me nenet 256 dhe 257 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet po zhvillohen me qëllim të verifikimit të rrethanave të rasteve të dyshuara që ndërlidhen me trajtime shëndetësore të ofruara nga personi Arianit Sllamniku.
Në kuadër të këtyre veprimeve hetimore, Policia e Kosovës në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë pranuar shërbime shëndetësore apo konsulta, përfshirë përdorimin e terapive ose medikamenteve nga personi në fjalë, dhe që konsiderojnë se kanë pësuar dëme, qoftë materiale apo shëndetësore, të paraqiten për intervistim.
Qytetarët e prekur ftohen të paraqiten në ambientet e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan, me qëllim të ndihmës në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Policia ka theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve është i rëndësishëm për zhvillimin e hetimeve, ndërsa procedurat po zhvillohen në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.