Ministria e Shëndetësisë jep detaje për inspektimin që u bë tek Arianit Sllamniku: Në bazë të gjetjeve, do të merren masat përkatëse
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar lidhur me raportimet se konspiracionisti Arianit Sllamniku, dyshohet se ka ofruar barna, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm, duke shprehur shqetësim të thellë për rrezikimin e shëndetit të fëmijëve. Nga MSh u bë e ditur për lajmi.net, se, që nga momenti i parë i marrjes së informacionit, kanë…
Lajme
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar lidhur me raportimet se konspiracionisti Arianit Sllamniku, dyshohet se ka ofruar barna, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm, duke shprehur shqetësim të thellë për rrezikimin e shëndetit të fëmijëve.
Nga MSh u bë e ditur për lajmi.net, se, që nga momenti i parë i marrjes së informacionit, kanë qenë në koordinim të vazhdueshëm me Inspektoratin Shëndetësor dhe Farmaceutik, si dhe me Policinë e Kosovës.
“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë. Shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për lajmi.net.
MSh-ja, po ashtu ka konfirmuar se Inspektorati Shëndetësor dhe Farmaceutik, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka nisur një inspektim të përbashkët ndaj personit në fjalë dhe se, në bazë të gjetjeve, do të merren masa përkatëse në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka arrestuar Arianit Sllamnikun, pas raportimit të lajmi.net lidhur me trajtimin që ai dyshohet se ua bënte fëmijëve me çrregullime të spektrit autik, duke pretenduar se “shëronte autizmin”.
“Ju njoftoj se Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, sot më datën 20.01.2026 me autorizim të Prokurorisë së Shtetit në vazhdën e veprimeve hetimore, ka ndërmarrë masa konkrete operative duke arrestuar personin e dyshuar A.S. i cili dyshohet të jetë i përfshirë në kryerjen e veprave penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pas arrestimit, personi i dyshuar është intervistuar në bazë të procedurave ligjore, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në përgjigjen e Policisë për lajmi.net.
Sot ka vepruar edhe Inspektorati Shëndetësor dhe Farmaceutik, i cili ka kryer kontrolle në zyrën e Arianit Sllamnikut, e cila funksiononte si një lloj “ordinance” për trajtimin e fëmijëve me spektër të autizmit, dhe e njëjta është mbyllur. Lajmi.net ka siguruar pamje nga zyra e cila tashmë është e mbyllur.

Hetimet janë iniciuar pas raportimeve se Sllamniku u shkruante fëmijëve barna të destinuara për kafshë, të cilat konsiderohen tejet të rrezikshme për shëndetin e njeriut, veçanërisht për fëmijët. Sipas dyshimeve, ai përfitonte shuma të mëdha parash duke ua paraqitur këto substanca prindërve si “trajtim”.
Mëngjesin e sotëm, Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore në këtë rast.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, sot me datë 20 janar 2026, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin për të cilin jeni interesuar. Prokuroria do t’ju mbajë të informuar për veprimet e mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndryshe, lajmi.net kishte raportuar më herët se Arianit Sllamniku deklaronte publikisht se “shëron autizmin”, ndërsa në raportet që ua paraqiste prindërve të fëmijëve me spektër të autizmit, rekomandonte përdorimin e barnave veterinare.
Sllamniku është i njohur për publikun edhe për teori të ndryshme konspirative, ndërsa dyshohet se këtë veprimtari e kishte zhvilluar për më shumë se një vit.
Derisa reagime ka pasur edhe nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, e cila ka theksuar se ky rast nuk duhet trajtuar vetëm si një incident i izoluar, por si alarm për dështime serioze sistemike në mbrojtjen e pacientëve.
“Shëndeti i fëmijëve nuk mbrohet vetëm me hetime pasi dëmi ka ndodhur, por me parandalim, rregullim dhe mbikëqyrje aktive”, thuhet në reagimin e tyre.
Ndërkaq hetimet për këtë rast janë në vazhdim. /Lajmi.net/