Aksioni i madh i antidrogës në Itali, tetë shqiptarë në pranga

Nëntë persona, në mesin e tyre tetë me origjinë shqiptare, u prangosën sot nga policia italiane në një operacion të madh të Antidrogës. Aksioni i koduar “Sturl One”, u zhvillua nga Policia e Reggio Emilias, nën koordinimin e Prokurorisë së Bolonjës, shkruajnë mediat italiane. Kontrolle dhe arrestime u kryen edhe në disa provinca italiane si:…

Lajme

20/01/2026 13:45

Nëntë persona, në mesin e tyre tetë me origjinë shqiptare, u prangosën sot nga policia italiane në një operacion të madh të Antidrogës.

Aksioni i koduar “Sturl One”, u zhvillua nga Policia e Reggio Emilias, nën koordinimin e Prokurorisë së Bolonjës, shkruajnë mediat italiane.

Kontrolle dhe arrestime u kryen edhe në disa provinca italiane si: Bergamo, Brescia dhe Savona, si edhe në Francë, Spanjë dhe Shqipëri, falë bashkëpunimit me autoritetet policore të huaja dhe Policisë shqiptare.

Lidhur me aksionin në fjalë ka njoftuar edhe policia italiane.

Hetimet janë vijim i operacioneve të mëparshme “TREXIT 2019” dhe “BLACK MAMBA”, të cilat në vitet 2021 dhe 2022 kishin çuar në arrestimin e 35 personave.

Nga hetimet rezulton se organizata kishte kapacitet të lartë logjistik dhe financiar, duke importuar sasi të mëdha kokaine, hashashi dhe marijuanë nga Amerika e Jugut, Evropa Veriore dhe Spanja, të fshehura në kamionë me ngarkesa perimesh.

Vetëm në gjashtë muajt e fundit, grupi kriminal dyshohet se ka shpërndarë mbi 200 kilogramë kokainë dhe rreth 1 ton hashash e marijuanë, duke gjeneruar fitime në miliona euro. Anëtarët e organizatës komunikonin përmes platformës së koduar “SkyECC”, e cila u çkodua nga autoritetet franceze në fund të vitit 2020, duke i hapur rrugë zbardhjes së aktivitetit kriminal.

Në total, janë 15 persona nën hetim, ndërsa gjatë kontrolleve u sekuestruan drogë, para cash dhe mjete komunikimi. Gjatë një kontrolli në Brescia, një shtetas maroken u arrestua në flagrancë me mbi 3 kilogramë drogë dhe 5 mijë e 800 euro. Autoritetet italiane e cilësojnë operacionin si goditje të fortë ndaj kupolës së organizatës kriminale.