Dhuna në familje eskalon në Prizren: Tre persona sulmojnë policinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar një kërkesë për ndihmë nga një grua në fshatin Poslishtë, Komuna e Prizrenit, e cila kishte raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Sipas njoftimit të Policisë, thuhet se ptrullat policore kanë reaguar menjëherë dhe pas mbërritjes në vendngjarje janë përballur me një situatë të…

Lajme

19/01/2026 17:29

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar një kërkesë për ndihmë nga një grua në fshatin Poslishtë, Komuna e Prizrenit, e cila kishte raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Sipas njoftimit të Policisë, thuhet se ptrullat policore kanë reaguar menjëherë dhe pas mbërritjes në vendngjarje janë përballur me një situatë të rëndë sigurie, ku bashkëshorti i viktimës, vëllai dhe babai i tij kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe kanë tentuar ta sulmojnë sërish viktimën.

Gjatë ndërhyrjes, theksohet se zyrtarët policorë janë sulmuar fizikisht dhe me gurë, ndërsa viktima është kërcënuar dhe është vënë seriozisht në rrezik. Për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të mbrojtur jetën e viktimës, policia ka ndërhyrë me mjete ligjore, duke arritur ta vërë situatën nën kontrol, sihkruan lajmi.net.

Po ashtu si rezultat i veprimeve policore, tre persona të dyshuar janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacionin policor. Gjatë përleshjes, disa zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor. Njëri nga të dyshuarit gjithashtu ka pranuar ndihmë mjekësore për lëndime të pësuara gjatë arrestimit.

Në vendngjarje është angazhuar ekipi i kujdestarisë nga Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren. Të dyshuarit kanë shfrytëzuar të drejtën e heshtjes gjatë dhënies së deklaratave.

Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Përgjithshme ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh ndaj tre të dyshuarve.

Derisa Policia e Kosovës thekson se rastet e dhunës në familje paraqesin sfida serioze për sigurinë publike, megjithatë mbetet e përkushtuar fuqishëm në mbrojtjen e viktimave dhe në zbatimin e ligjit, pa asnjë dallim. /Lajmi.net/