Kurti: Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës nuk duhet të mbetet pa u ndriçuar – të zbulohen urdhërdhënësit dhe ekzekutorët që të mundësohet drejtësia e ndëshkimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe sot në Dubovik të Deçanit në nderim të Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, 44 vite pas vrasjes së tyre nga shërbimet sekrete jugosllave në Stuttgart të Gjermanisë. Kurti ka theksuar se veprimtarët u vranë vetëm disa muaj pas demonstratave të vitit 1981, që u shtypën…

Lajme

17/01/2026 19:43

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe sot në Dubovik të Deçanit në nderim të Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, 44 vite pas vrasjes së tyre nga shërbimet sekrete jugosllave në Stuttgart të Gjermanisë.

Kurti ka theksuar se veprimtarët u vranë vetëm disa muaj pas demonstratave të vitit 1981, që u shtypën me dhunë, dhe janë pasuar nga përndjekje, arrestime arbitrare dhe burgosje politike, transmeton lajmi.net.

Ai i ka përshkruar ata si patriotë, aktivistë, krijues, gazetarë dhe intelektualë, të cilët përveç angazhimit politik, kontribuan përmes ideve dhe penës.

“Kjo vrasje nuk duhet të mbetet pa u ndriçuar. Zbardhja e së vërtetës, duke përfshirë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, duhet të bëhet për të mundësuar drejtësinë dhe ndëshkimin e përgjegjësve,” ka thënë Kurti.

Postimi i plotë: 

Vetëm rreth nëntë muaj pas demostratave të vitit 1981, të shtypura me dhunë dhe të pasuara nga përndjekje, arrestime arbitrare dhe burgosje politike, shërbimet sekrete jugosllave i vranë në Stuttgart të Gjermanisë, Jusuf Gërvallën me vëllain e tij Bardhoshin si dhe Kadri Zekën.
44 vite më parë, Jugosllavia e Serbia goditën pikërisht Kadriun, Jusufin dhe Bardhoshin, atëherë kur po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha organizimi për Republikën e Kosovës, për bashkim e barazi dhe për çlirimin e popullit tonë.
Sot, bëmë homazhe në Dubovik të Deçanit, ku u mirëpritëm nga e bija e Jusufit, Donika Gërvalla, Ministre në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës. Vizituam edhe familjen e Kadri Zekës ku na pritën Izmi Zeka, Zenun Pajaziti dhe familja e gjerë. Përveçse patriotë, ata ishin aktivistë, krijues, gazetarë dhe intelektualë. Me vrasjen e tyre nuk kemi humbur vetëm tre veprimtarë por poetë e shkrimtarë që kontribonin përmes ideve dhe pendës.
Vrasja e tyre nuk duhet të mbetet pa u ndriçuar. Zbardhja e së vërtetës edhe sa i përket urdhërdhënësve dhe ekzekutorëve duhet të ndriçohen që të mundësohet drejtësia e ndëshkimi.
Lavdi Jusufit, Bardhoshit, Kadriut dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!/lajmi.net/