LDK në udhëkryq, qëndrim apo largim i kryetarit?
Lidhja Demokratike e Kosovës është vendosur në një udhëkryq politik, vlerësojnë ish-deputetë të kësaj partie dhe analistë. Dy ditë para mbledhjes së kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, po kërkohet qartësim i drejtimit politik dhe trajtim i përgjegjësisë së udhëheqjes së kësaj partie, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kryetari i LDK-së,…
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës është vendosur në një udhëkryq politik, vlerësojnë ish-deputetë të kësaj partie dhe analistë.
Dy ditë para mbledhjes së kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, po kërkohet qartësim i drejtimit politik dhe trajtim i përgjegjësisë së udhëheqjes së kësaj partie, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ditë më parë tha se do të ofrojë dorëheqjen para kuvendit të përgjithshëm të LDK-së, ku delegatët do të vendosin për qëndrimin ose jo të tij në krye të LDK-së.
Kjo nxiti edhe reagimet e eksponentëve të lartë të tjerë të partisë më të vjetër në Kosovë. Hykmete Bajrami njoftoi se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetares së LDK-së, derisa të njëjtën gjë ia kërkoi edhe Abdixhikut.
Kërkesë të njëjtën adresoi edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti.
Dorëheqje të parevokueshme të Abdixhikut po kërkon edhe ish-deputeti i LDK-së, Blerim Grainca. Ai për KosovaPress, thotë se kuvendi i përgjithshëm i LDK-së s’ka obligim të miratojë dorëheqje, mirëpo i njëjti vetëm njoftohet për një gjë të tillë dhe shpallen zgjedhjet e reja.
“Kryetari në bazë të statutit të LDK-së konsiderohet i dorëhequr nëse ka dhënë dorëheqje. Kuvendi s’ka obligim të miratojë dorëheqjen. Kuvendi vetëm njoftohet dhe shpallen zgjedhjet e reja. Nëse respektohet statuti, tjerat janë lojëra fjalësh… Duhet të ftohet kuvendi dhe të mbahen zgjedhjet. Ky kuvend nuk ka kompetencë të miratojë apo jo dorëheqjen. Dorëheqja si akt moral nuk rregullohet me statut. Jep dorëheqje, shkon, s’ka nevojë të miratohet”, thotë ai.
E analisti politik, Albinot Maloku, thotë për KosovaPress, se LDK-ja ka nevojë për një qartësim të pozicionit të saj në raport me rezultatin dëshpërues të zgjedhjeve të fundit, por edhe cili do të jetë qëndrimi karshi pushtetit të ri në vend.
Ai e konsideron të nevojshëm ndryshimin e lidershipit në LDK përmes dorëheqjes së parevokueshme të Lumir Abdixhikut.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka nevojë për një qartësim të pozicionit të vet, distancim i fuqishëm nga kultura e mëlëngonisë, nga kopja e keqe që është munduar të bëhet në momente të caktuara, sidomos nga zotëri Abdixhiku. Këtu po aludoj te mënyra e funksionimit siç bën zotëri Kurti dhe për mua kjo është e papranueshme. Megjithatë, LDK-ja e ka një identitet të vetin i cili gjithsesi në momente të caktuara duhet të përshtatet me rrethanat shoqërore politike. Kjo nuk ka ndodhur në LDK. Zotëri Abdixhiku problemi më i madh që e ka pasur është se nuk ka pas qëndrimet e definuara. Kjo po vërehet edhe tani pas 28 dhjetorit 2025, kur në fillim tha se do të angazhohet në obligimet familjare dhe do të marrë përgjegjësinë për pozicionin politik të LDK-së. Kjo kuptohej si një përgjegjësi si dorëheqja. Do të kishte qenë e shëndetshme dhe aspak tragjike në procese demokratike dorëheqja e kreut të subjektit politik që nuk ka dalë suksesshëm në proces zgjedhor”, thotë ai.
Dorëheqjen e Abdixhikut e kërkon edhe ish-deputeti i LDK-së, Blerim Grainca, i cili thotë se i njëjti s’ka çka i ofron më partisë.
“Është e domosdoshme ndryshimi. Edhe e gjithë LDK-ja ta mbështesë zotëri Abdixhikun, ai s’ka çka i ofron më LDK-së. Ka dëshmuar se nuk ka arritur t’i shtyjë përpara proceset, pasi ka pasur gabime në menaxhim dhe ka marrë ndëshkimin prej votuesve. Krejt çka po kërkohet është një reflektim i tij dhe hapje e garës”, deklaron ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, paralajmëroi të martën, 13 janar, dorëheqjen nga pozita lidere në këtë subjekt politik.
Arsye për këtë është rezultati jo i mirë i kësaj partie në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit, që nuk shkoi më lart se 13.11 për qind. Se a do ta pranojë dorëheqjen e kryetarit kuvendi i përgjithshëm i LDK-së, mbetet të shihet.
Nëse Abdixhiku lejohet të largohet nga lidershipi, atëherë bëhet i dyti kryetar i Lidhjes Demokratike që dorëzohet pas rezultateve të dobëta zgjedhore.
Ngjashëm kishte vepruar paraardhësi i tij, Isa Mustafa, më 2021. Në votimet e 14 shkurtit të atij viti, LDK, nën lidershipin e tij, pati shënuar rezultatin më të dobët në histori të partisë me vetëm 12.7 për qind të votave në nivel vendi.
Abdixhiku pati thënë në atë kohë se dorëheqja pas rezultateve të dobëta, është bërë praktikë në LDK.