Fushatë e shtrenjtë – LDK me mbi 203 mijë euro shpenzime në Zgjedhjet Lokale
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publik raportin e paaudituar të deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të LDK-së për Zgjedhjet Lokale 2025, të cilat janë mbajtur më 12 tetor. Sipas raportit që përfshin periudhën nga 9 qershori deri më 9 nëntor 2025, LDK ka deklaruar të hyra totale në vlerë prej 23 mijë e 540…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publik raportin e paaudituar të deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të LDK-së për Zgjedhjet Lokale 2025, të cilat janë mbajtur më 12 tetor.
Sipas raportit që përfshin periudhën nga 9 qershori deri më 9 nëntor 2025, LDK ka deklaruar të hyra totale në vlerë prej 23 mijë e 540 euro e 54 centë. Nga kjo shumë, 7 mijë e 750 euro janë realizuar nga donacionet dhe kontributet në të holla, ndërsa 15 mijë e 790 euro janë deklaruar si kontribute në natyrë, përmes mallrave dhe shërbimeve. Për këtë periudhë nuk janë raportuar të hyra nga buxheti i shtetit apo nga anëtarësia, raporton lajmi.net
Ndërkohë, shpenzimet e fushatës zgjedhore kanë arritur në 203 mijë e 45 euro e 13 centë, duke krijuar një deficit financiar prej 179 mijë e 505 euro e 13 centë.
Pjesa më e madhe e shpenzimeve është realizuar për reklama, reprezentacion dhe konferenca, në vlerë prej 184 mijë e 582 euro e 45 centë. Po ashtu, për kontribute në natyrë në mallra dhe shërbime janë shpenzuar 15 mijë e 790 euro. Shpenzime për paga nuk janë raportuar, ndërsa shpenzimet për transport kanë qenë 2 mijë e 672 euro e 68 centë.
Në përfundim të periudhës raportuese, LDK ka deklaruar 81 mijë e 206 euro e 56 centë para dhe ekuivalentë të parasë, ndërsa detyrimet totale të subjektit politik kanë arritur në 182 mijë e 152 euro e 28 centë./Lajmi.net/