Ish-polici që u mbajt pesë muaj në burg në Serbi: Nuk shkoj më kurrë andej
Ish-polici i Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili u mbajt për pesë muaj në burgjet serbe, është shfaqur në publik disa javë pas lirimit. Ai është shfaqur në rrjetin social TikTok ku ka rrëfyer se si e ka mbajtur të fortë mendjen derisa mbahej në burg në Serbi. “Në burg, nuk numëroja ditët…
Lajme
Ish-polici i Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili u mbajt për pesë muaj në burgjet serbe, është shfaqur në publik disa javë pas lirimit.
Ai është shfaqur në rrjetin social TikTok ku ka rrëfyer se si e ka mbajtur të fortë mendjen derisa mbahej në burg në Serbi.
“Në burg, nuk numëroja ditët por numëroja setet e ushtrimeve dhe kështu e mbajta mendjen”, tha Spahiu në një video në TikTok.
Tutje, ai ka komentuar edhe kalimin nëpër territorin e Serbisë, vepër për të cilën ka thënë se nuk do ta përsëris.
“Me ju pasë tutë nuk i kisha ra hiç anej. Normal që nuk i bi se profili jem, i çdo polici dhe ushtari është target”, ka thënë ai në një shkëmbim komentesh në rrjetin social TikTok.
Spahiu, me origjinë nga fshati Muçivërc i Kamenicës, ishte ndaluar nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar të Suboticës mes Hungarisë dhe Serbisë.
Ndalimi i tij ishte kryer mbi pretendimet e autoriteteve serbe për kinse pjesëmarrjen e tij në ngjarjet e Banjskës në shtator të vitit 2023, mirëpo ky pretendim ishte hedhur poshtë nga avokati i tij dhe shteti i Kosovës. Ai ishte larguar nga Policia e Kosovës vite përpara kësaj ngjarjeje.
