​Qeveria në detyrë mirëpret largimin e masave, kërkon hapa tjerë në integrimin evropian

Paralajmërimi i Bashkimit Evropian për largimin e tërësishëm të masave ndëshkuese ndaj Kosovës po mirëpritet nga qeveria në detyrë. Sipas tyre, lirimi i fondeve për Kosovën dhe mbështetja financiare që nga ky fillim është një vendim i duhur i BE-së, sado që, siç thonë ata, është i vonuar ky hap. Përkitazi me këtë, në ekzekutiv…

Lajme

16/01/2026 16:04

Paralajmërimi i Bashkimit Evropian për largimin e tërësishëm të masave ndëshkuese ndaj Kosovës po mirëpritet nga qeveria në detyrë. Sipas tyre, lirimi i fondeve për Kosovën dhe mbështetja financiare që nga ky fillim është një vendim i duhur i BE-së, sado që, siç thonë ata, është i vonuar ky hap.

Përkitazi me këtë, në ekzekutiv presin që këtë vit të ketë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian dhe avancimin në procese, siç është marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Bashkimi Evropian të enjten pe konfirmoi se ka nisur heqjen e masave ndaj Kosovës, duke hapur rrugën për lirimin e mbi 400 milionë eurove këtë fillim viti, në mbështetje financiare për vendin.

Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress, se lirimi i mjeteve financiare për Kosovën nga ky fillim viti, është pozitiv për vendin, siç shton, sado i vonuar që është ky hap.

Madje, thekson nevojën që BE-ja të ndërmarrë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian.

“Bashkimi Evropian përmes presidentes Ursula von der Leyen veçse ka njoftuar publikisht se do të vazhdojë me heqjen e masave, përmes së cilës do të lirohen fondet për Kosovën dhe mbështetja financiare që nga ky fillim viti. E mirëpresim vendimin e Bashkimit Evropian, sado i vonuar që është ky hap. Në vijim presim që të ketë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian dhe avancim në procese po ashtu të vonuara, siç është marrja e statusit të vendit kandidat”, thuhet në përgjigjen e Kadiut.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se krahas 216 milionë eurove që janë liruar në dhjetor të vitit 2025, synojnë që shumë shpejt të lirojnë edhe 205 milionë euro në fillim të këtij viti.

Ajo tha se ky vendim është marrë pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të fundit lokale. Derisa tregoi në detaje edhe se në cilat projekte do të përfitojë Kosova.

“Kemi liruar afërsisht 50% të ndihmës financiare që arrin në rreth 216 milionë euro. Kjo do të lejojë nënshkrimin e kontratave për katër projekte (që përfaqësojnë gjithsej 34.6 milionë euro kontribut të BE-së) dhe fillimin e zbatimit; për të përfunduar programimin e të gjitha fondeve të mbetura IPA III të destinuara për Kosovën (181 milionë euro; miratimi i planifikuar i vendimit të financimit të Komisionit në pranverën e vitit 2026 që do të lejonte që projektet e para të fillonin në gjysmën e dytë të vitit 2026). Për më tepër, Komisioni synon të lirojë shumën e mbetur prej 205 milionë eurosh në fillim të këtij viti, në përputhje me Përfundimet e Presidencës për Zgjerimin të miratuara më 16 dhjetor”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së BE-së.

Në anën tjetër, hulumtuesja në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbëreshë Loxha, thotë për KosovaPress, se largimi i masave karshi përfitimit të mjeteve financiare është i rëndësishëm edhe në imazhin e Kosovës në aspektin ndërkombëtar.

Sipas saj, posa të formohen institucionet e reja në vend, duhet të punohet shumë në sanimin e çdo dëmi eventual që masat i kanë bërë Kosovës.

“Heqja tashmë e plotë e masave të BE-së është një hap i duhur, ndonëse i vonuar. Gjithsesi, përtej faktit që është i vonuar, në vazhdimësi ne si GLPS dhe si shtet kemi bërë thirrje që të njëjtat të hiqen, sidomos pas tejkalimit të krizës në veri me çështjen e zgjedhjeve. Ne konsiderojmë se është një hap i duhur dhe do t’i hapë rrugën zhbllokimit të fondeve që Kosova ka rrezikuar t’i humbë për shkak të masave. Të njëjtat do të jenë shumë të dobishme në momentin që do të hyjnë në ekonominë e Kosovës. Gjithashtu, largimi i masave është pozitiv dhe i rëndësishëm edhe sa i përket imazhit të Kosovës. Kosova nuk do të ketë një barrë mbi imazhin e saj në rrafshin ndërkombëtar, pasi nuk ka qenë e mirë që Kosova ka qenë e dënuar nga BE-ja. Unë uroj që sa më shpejt, me krijimin e institucioneve të reja, të punohet shumë në sanimin e çdo dëmi eventual që masat i kanë bërë Kosovës dhe imazhit të saj në rrafshin ndërkombëtar dhe atë të brendshëm”, thekson ajo.

Gjatë së enjtes, edhe Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar se pret heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës në javët e ardhshme.

Jan Gert Koopman, drejtor i Drejtorisë për Zgjerim në KE, theksoi se bëhet fjalë për lirimin e më shumë se 400 milionë eurove, përfshirë edhe masat që KE-ja i kishte hequr fillimisht në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai shpjegoi se institucionet po punojnë paralelisht në programimin e mjeteve dhe në kontraktimin e projekteve që do të financohen.