Në rajonin e Prishtinës policia gjobit 353 shoferë për dy javë pasi i kishin automjetet e paregjistruara

Në rajonin e Prishtinës, Policia ka intensifikuar angazhimet për rritjen e sigurisë në trafik, duke vënë theks të veçantë te automjetet e paregjistruara, të cilat vazhdojnë të paraqesin një rrezik serioz për pjesëmarrësit në komunikacion. Gjatë dy javëve të para të vitit 2026, Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor ka evidentuar gjithsej 353 automjete të paregjistruara…

Lajme

16/01/2026 09:03

Në rajonin e Prishtinës, Policia ka intensifikuar angazhimet për rritjen e sigurisë në trafik, duke vënë theks të veçantë te automjetet e paregjistruara, të cilat vazhdojnë të paraqesin një rrezik serioz për pjesëmarrësit në komunikacion.

Gjatë dy javëve të para të vitit 2026, Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor ka evidentuar gjithsej 353 automjete të paregjistruara që kanë qarkulluar në rrugë pa kontroll teknik, duke rritur ndjeshëm rrezikun për aksidente, veçanërisht në kushtet e dimrit, transmeton lajmi.net.

Në të njëjtën periudhë, janë shqiptuar 1.883 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik, ku përveç tejkalimit të shpejtësisë, automjetet e paregjistruara mbeten një nga sfidat kryesore për autoritetet.

Policia njofton se, pavarësisht angazhimeve në kuadër të planit operativ “Sezoni Dimëror”, aktivitetet policore do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të garantimit të mbarëvajtjes dhe sigurisë në rrugë, duke apeluar te të gjithë drejtuesit e automjeteve që t’u përmbahen rregullave dhe shenjave të trafikut.

Postimi i plotë:

Në rajonin e Prishtinës, vazhdojnë angazhimet për rritjen e sigurisë në trafik
Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor, edhe pse nga data 1 janar deri më 14 janar 2026, ka qenë duke vepruar në zbatimin e planit operativ “Sezoni Dimëror”, për shkak të kushteve atmosferike, zyrtarët policorë në koordinim me zyrtarët e Ministrisë përkatëse dhe kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, janë angazhuar në rregullimin dhe menaxhimin e trafikut rrugor, veçanërisht në zonat ku është vështirësuar qarkullimi.
Paralelisht me këto angazhime, është punuar edhe në rritjen e sigurisë në trafik.
Vetëm gjatë dy javëve të para të këtij viti, në rajonin e Prishtinës, janë shqiptuar 1.883 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.
Përveç tejkalimit të shpejtësisë, sidomos në kushtet e dimrit, nga statistikat e grumbulluara, sfidë mbetet një numër i madh i automjeteve të paregjistruara, gjithsej 353, gjë kjo që paraqet një problem serioz për sigurinë në trafik, pasi këto automjete qarkullojnë në rrugë pa kontrollim teknik.
Duke apeluar te të gjithë drejtuesit e automjeteve që t’u përmbahen rregullave dhe shenjave të trafikut, ju njoftojmë se Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor-Prishtinë do të vazhdoj aktivitetet policore për mbarëvajtje dhe siguri në rrugë./lajmi.net/