Hoti paralajmëron dorëheqje nga organet drejtuese të partisë, nëse lidershipi nuk merr përgjigjësi: Besimi i qytetarëve në LDK është dëmtuar
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për unitet, reflektim dhe respektim të statutit të partisë, pas rezultatit të dobët zgjedhor të 28 dhjetorit 2025. Në një reagim publik, Hoti ka theksuar se askush nga ata që mbajnë përgjegjësi politike në LDK nuk duhet të qëndrojë anash proceseve…
Lajme
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për unitet, reflektim dhe respektim të statutit të partisë, pas rezultatit të dobët zgjedhor të 28 dhjetorit 2025.
Në një reagim publik, Hoti ka theksuar se askush nga ata që mbajnë përgjegjësi politike në LDK nuk duhet të qëndrojë anash proceseve vendimtare për të ardhmen e partisë. Sipas tij, vetëm përmes qetësisë, pjekurisë politike dhe gjithëpërfshirjes mund të rikthehet besimi i qytetarëve dhe LDK-ja të vihet sërish në shërbim të Kosovës, transmeton lajmi.net.
Ai ka rikujtuar se statuti i LDK-së është i qartë në rast të dorëheqjes së kryetarit, duke sqaruar se Kuvendi i LDK-së duhet të thirret për t’u njoftuar zyrtarisht për dorëheqjen dhe më pas të zgjedhë kryetarin e ri. Hoti ka paralajmëruar se çdo shmangie nga kjo procedurë statutare përbën përpjekje për të shtyrë ose relativizuar përgjegjësinë politike të lidershipit aktual.
Duke iu referuar precedentit të vitit 2021, Hoti ka theksuar se standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur atëherë dhe, sipas tij, është promovuar vetë nga kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard, ai e ka cilësuar si kundërshtim të hapur me parimet e shpallura nga lidershipi aktual.
“Pas rezultatit tejet të dobët zgjedhor, LDK-së i nevojitet lidership i ri dhe një riorganizim i plotë në të gjitha nivelet, përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës”, ka theksuar Hoti, duke shtuar se besimi i qytetarëve është dëmtuar dhe nuk mund të rikthehet pa një akt të qartë përgjegjësie dhe reformimi.
Ai ka vlerësuar se LDK-ja ka potencial të madh politik, njerëzor dhe programor, por sipas tij, ky potencial mund të vihet në shërbim të qytetarëve vetëm përmes një reformimi të thellë, transparent dhe në përputhje me statutin.
Në fund, Hoti ka paralajmëruar se nëse lidershipi i LDK-së nuk merr përgjegjësinë që i takon dhe nuk hap rrugë për reformim, ai do të japë dorëheqje nga organet drejtuese të partisë. Ai ka theksuar se ky është një qëndrim politik parimor dhe jo emocional, në mbrojtje të statutit, standardeve dhe identitetit politik të LDK-së.
Sipas Hotit, të gjithë bartësit e përgjegjësive në parti, nga kryesia e deri te degët dhe delegatët e Kuvendit të LDK-së, kanë obligim të sigurojnë një proces të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës për zgjedhjen e lidershipit të ri.
Postimi i plotë: