Nuk shkoi në punë për dy vjet, por merrte pagë – arrestohen dy persona për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Gjilan
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pas hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Gjilan, në koordinim me prokurorinë kompetente. Sipas njoftimit zyrtar, njëri nga të dyshuarit, mashkull kosovar, i punësuar si bibliotekist në një shkollë…
Lajme
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pas hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Gjilan, në koordinim me prokurorinë kompetente.
Sipas njoftimit zyrtar, njëri nga të dyshuarit, mashkull kosovar, i punësuar si bibliotekist në një shkollë me kontratë pune për kohë të pacaktuar, dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore nuk është paraqitur në vendin e punës, ndërkohë që ka vazhduar të përfitojë paga mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës, transmeton lajmi.net.
Hetimet kanë zbuluar se nga viti 2023 deri në tetor të vitit 2025, i dyshuari ka shkaktuar dëm financiar në vlerë prej 19,067.69 euro, duke përfituar pagesa pa kryer obligimet e punës.
I dyshuari i dytë, po ashtu mashkull kosovar dhe në cilësinë e personit zyrtar, dyshohet se nuk ka raportuar mungesën e të parit pranë autoriteteve përkatëse, duke mundësuar vazhdimin e pagesave pa bazë ligjore dhe, sipas policisë, ka konsumuar të njëjtën vepër penale.
Të dy të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar./lajmi.net/