Tragjedi në autostradën sllovene, i riu nga Kosova humb jetën në aksident fatal
Një aksident i rëndë trafiku në Slloveni i ka marrë jetën një të riu nga Kosova, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët dhe bashkëvendësit e tij. Viktima është Leunit Kastrati, 28 vjeç, nga fshati Turjakë i komunës së Malishevës. Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar nga faqja e fshatit, të cilët kanë…
Lajme
Një aksident i rëndë trafiku në Slloveni i ka marrë jetën një të riu nga Kosova, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët dhe bashkëvendësit e tij.
Viktima është Leunit Kastrati, 28 vjeç, nga fshati Turjakë i komunës së Malishevës. Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar nga faqja e fshatit, të cilët kanë shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit dhe kanë bërë të ditur se ceremonitë mortore do të njoftohen më vonë, transmeton lajmi.net.
Ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në autostradën A1, që lidh Lubjanën me Mariborin, pranë zonës së Slovenska Bistricës. Sipas informacioneve nga autoritetet sllovene, një kamion-cisternë që transportonte karburant ka dalë nga kontrolli, ka kaluar barrierën ndarëse të rrugës dhe është rrokullisur në drejtimin e kundërt të qarkullimit.
Pas përmbysjes, mjeti është përfshirë nga zjarri, ndërsa në aksident është përfshirë edhe një automjet tjetër i tipit furgon. Përveç humbjes së jetës së të riut nga Kosova, dy persona të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
Policia ka bërë të ditur se rrethanat që çuan në humbjen e kontrollit të mjetit të rëndë ende nuk janë sqaruar dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.
Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Slloveni dhe në Kosovë, ndërsa familjarët e të ndjerit po përballen me një humbje të papritur dhe të rëndë./lajmi.net/