KQZ-ja në proces rinumërimi: 158 vendvotime të përmbyllura deri më tani
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për vendvotimet për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërim. Sipas konfirmimit për lajmi.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se nga fillimi i këtij procesi më 13 janar 2026, në ora 18:00, e deri…
Lajme
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për vendvotimet për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërim.
Sipas konfirmimit për lajmi.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se nga fillimi i këtij procesi më 13 janar 2026, në ora 18:00, e deri më 15 janar 2026, në ora 16:00, janë rinumëruar gjithsej 158 nga 914 vendvotime.
Vendvotimet e rinumëruara u përkasin komunave të ndryshme, përfshirë: Deçan (5), Gjakovë (15), Gllogoc (7), Gjilan (13), Dragash (57), Istog (6), Kaçanik (44), Klinë (5), Fushë Kosovë (3) dhe Mitrovicë e Jugut (3).
Elezi ka bërë të ditur se rezultatet e rinumërimit publikohen në mënyrë të vazhdueshme në platformën online të KQZ-së, në seksionin QNR > Rinumërim, pas përfundimit të numërimit për secilin vendvotim.
Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100 për qind e vendvotimeve, përfshirë: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.
Ndërkaq, në 28 komuna të tjera do të rinumërohen 10 për qind e vendvotimeve, përfshirë: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
KQZ ka theksuar se procesi i rinumërimit po zhvillohet në mënyrë transparente dhe në përputhje me procedurat ligjore. /Lajmi.net/
