Kurti: Krimet e kryera në Reçak, nuk mund të fshihen nga historia e shtetit gjenocidal të Serbisë, e as nga historia e popullit tonë që i vuajti

Në 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, po mbahet Akademi Përkujtimore në nderim të 45 civilëve shqiptarëve të vrarë nga paramilitarët serbë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij, tha se Kosova e lirë i ka rrënjët në gjakun e derdhur të martirëve e dëshmorëve të UÇK-së. “Jemi bashkë në përvjetorin e 27-të, për…

Lajme

15/01/2026 12:52

Në 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, po mbahet Akademi Përkujtimore në nderim të 45 civilëve shqiptarëve të vrarë nga paramilitarët serbë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij, tha se Kosova e lirë i ka rrënjët në gjakun e derdhur të martirëve e dëshmorëve të UÇK-së.

“Jemi bashkë në përvjetorin e 27-të, për të përmbushur përgjegjësitë tona njerëzore e shtetërore që tejkalojnë kohën, obligimin ndaj kujtesës, të vërtetës dhe drejtësisë. Shteti ynë, Republika e Kosovës ku ne jetojmë sot të lirë, i ka rrënjët në gjakun e derdhur të martirëve dhe dëshmorëve në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në sakrificën dhe qëndresën e popullit tonë liridashës”, tha ai.

Pos tjerash, Kurti tha se Reçaku ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë.

“Krimet e kryera në Reçak, nuk mund të fshihen nga historia e shtetit gjenocidal të Serbisë që i kreu, e as nga historia e popullit tonë që i përjetoi me aq shumë dhimbje dhe i trashëgoi me kaq shumë vuajtje. Reçaku ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë”, u shpreh ai.

Ai ka shtuar se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet, dhe se drejtësia, sado e vonuar mbetet detyrim moral dhe historik.