Drejtori i AKI-së viziton KOSTT-in: U bisedua për rolin e tyre për sigurinë e sistemit elektroenergjetik

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti ka takuar U.D. Kryeshefin Ekzekutiv të KOSTT-it, Shaban Nezirin. Në këtë takim, sipas njoftimit të KOSTT-it, është diskutuar për rëndësinë strategjike të sektorit energjetin, infrastrukturën kritike të KOSTT-it, planet zhvillimore, si dhe për çështjet e sigurisë shtetërore që lidhen me mbrojtjen dhe funksionimin e qëndrueshëm…

Lajme

15/01/2026 11:56

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti ka takuar U.D. Kryeshefin Ekzekutiv të KOSTT-it, Shaban Nezirin.

Në këtë takim, sipas njoftimit të KOSTT-it, është diskutuar për rëndësinë strategjike të sektorit energjetin, infrastrukturën kritike të KOSTT-it, planet zhvillimore, si dhe për çështjet e sigurisë shtetërore që lidhen me mbrojtjen dhe funksionimin e qëndrueshëm të infrastrukturës vitale.
Gjatë vizitës, KOSTT ka thënë se është prezantuar nga afër puna dhe roli i tyre për sigurinë e sistemit elektroenergjetik, si dhe masat dhe kapacitetet që kontribuojnë në stabilitetin dhe besueshmërinë e rrjetit.
“Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit institucional për identifikimin dhe adresimin e rreziqeve që mund të prekin sigurinë e Kosovës, me fokus të veçantë te kërcënimet ndaj infrastrukturës vitale. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e parandalimit dhe trajtimit të rreziqeve të sabotimit dhe cenimeve të sigurisë që mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit elektroenergjetik. KOSTT vlerëson se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor për shkëmbimin e informatave, koordinimin e masave parandaluese dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës të infrastrukturës kritike, duke siguruar reagim të koordinuar dhe qëndrueshmëri më të lartë përballë sfidave të sigurisë. KOSTT e vlerëson lart këtë vizitë si dëshmi e angazhimit të përbashkët për forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës energjetike në Republikën e Kosovës”, ka njoftuar KOSTT. /Lajmi.net/