Groenlanda në qendër të vëmendjes: NATO dërgon trupa për stërvitje ushtarake së bashku me Danimarkën
“Ethe” po mbizotërojnë në Groenlandë, teksa disa vende të NATO-s po dërgojnë forca ushtarake për të marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta me Danimarkën, në një moment kur Donald Trump po përshkallëzon kërcënimet e tij për aneksimin me forcë të ishullit arktik. Gjermania, Suedia, Franca dhe Norvegjia kanë konfirmuar se do të dërgojnë personel ushtarak…
Bota
“Ethe” po mbizotërojnë në Groenlandë, teksa disa vende të NATO-s po dërgojnë forca ushtarake për të marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta me Danimarkën, në një moment kur Donald Trump po përshkallëzon kërcënimet e tij për aneksimin me forcë të ishullit arktik.
Gjermania, Suedia, Franca dhe Norvegjia kanë konfirmuar se do të dërgojnë personel ushtarak në Groenlandë për një stërvitje të përbashkët me forcat daneze. Ndërkohë, Kanadaja dhe Franca kanë njoftuar gjithashtu se planifikojnë të hapin konsullata në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, gjatë javëve të ardhshme.
Siç njoftoi përmes platformës X kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, oficerët suedezë, së bashku me trupa nga vende të tjera aleate, do të përgatiten bashkërisht për stërvitjen e ardhshme të quajtur “Operation Arctic Endurance”.
“Njësitë e para ushtarake franceze janë tashmë rrugës. Të tjera do të pasojnë”,shkroi nga ana e tij presidenti francez Emmanuel Macron në X.
Në një deklaratë të mërkurën, Ministria gjermane e Mbrojtjes njoftoi se po dërgon të enjten një “ekip zbulimi” prej 13 ushtarakësh në Groenlandë për “një mision eksplorues”, së bashku me vende të tjera partnere, me ftesë të Danimarkës.
Edhe Norvegjia po dërgon dy anëtarë të personelit të mbrojtjes në Groenlandë, siç konfirmoi për CNN një zëdhënës i Ministrisë norvegjeze të Mbrojtjes.
Siç thekson CNN, nuk është e pazakontë që vendet e NATO-s të dërgojnë trupa për stërvitje në vende të tjera të aleancës, dhe prej vitesh anëtarët e saj, përfshirë edhe SHBA-në, kanë ushtruar presion për forcimin e stërvitjeve të përbashkëta në Rrethin Arktik.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë rreth 150 ushtarë të stacionuar në bazën hapësinore Pituffik, në veriperëndim të Groenlandës.
Megjithatë, si koha ashtu edhe simbolika e njoftimeve të fundit nga vendet evropiane përbëjnë një shfaqje të rëndësishme solidariteti, në një periudhë tensioni të paprecedentë brenda NATO-s.
Takimi në Uashington
Lajmi për misionin evropian në Groenlandë u bë publik të mërkurën, kur zyrtarë të Danimarkës dhe Groenlandës u takuan në Uashington me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe zëvendëspresidentin JD Vance, vetëm disa orë pasi Trump deklaroi në Truth Social se “çdo gjë më pak” se kontrolli i Groenlandës nga SHBA-ja është “e papranueshme”.
“NATO bëhet shumë më e fortë dhe më efektive me Groenlandën në duart e SHTETEVE TË BASHKUARA”, shkroi Trump herët të mërkurën, duke argumentuar se kontrolli amerikan i ishullit do të ishte në dobi edhe të vetë NATO-s.
Takimi prodhoi pak rezultate konkrete. Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, deklaroi se ai dhe homologu i tij nga Groenlanda zhvilluan “një diskutim të sinqertë dhe konstruktiv” me Rubion dhe Vance, por se vazhdon të ekzistojë një “mosmarrëveshje themelore”.
Megjithatë, Rasmussen bëri të ditur se palët ranë dakord të krijojnë “një grup pune të nivelit të lartë për të shqyrtuar nëse mund të gjendet një rrugë e përbashkët përpara”, i cili pritet të mblidhet në javët në vijim.