Kosova mund të shkoj automatikisht në zgjedhjet të reja, nëse s’ka Kuvend të konstituuar dhe President të zgjedhur deri në këtë datë

914 vendvotime kanë hyrë në procesin e rinumërimit nga dje, nga 2,557, në të cilat është zhvilluar procesi i rregullt i votimit më 28 dhjetor 2025. Këtë vendim e mori dje Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e mbajtur dje, pasi propozimi mori 9 vota për dhe dy abstenime. Vendimi i KQZ-së erdhi pas paraqitjes së…

Lajme

14/01/2026 15:17

914 vendvotime kanë hyrë në procesin e rinumërimit nga dje, nga 2,557, në të cilat është zhvilluar procesi i rregullt i votimit më 28 dhjetor 2025.

Këtë vendim e mori dje Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e mbajtur dje, pasi propozimi mori 9 vota për dhe dy abstenime.

Vendimi i KQZ-së erdhi pas paraqitjes së një raporti nga verifikimi i votave të kandidatëve për 2% të vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas këtij raporti, më 10 janar 2026, Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e video incizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë. Pas këtyre evidentimeve, SKQZ ka bërë verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 2% të vendvotimeve apo 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Deri në përfundim të ditës së hënë, 12 janar 2026, janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime.

Andaj, duke u mbështetur në këto gjetje, KQZ mori vendim për rinumërimin e 914 vendvotimeve që i takojnë të gjitha komunave të Republikës së Kosovës. Në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).

Por, pikërisht rinumërimi i 914 vendvotimeve do të vonoj edhe më shumë procesin e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

KQZ pati shprehur gatishmëri nga java e kaluar për shpalljen e rezultateve, por situata ndryshoi me vendimin për rinumërim.

E një vonesë më e madhe do të kishte pasoja fatale për vendin. Në një prononcim për lajmi.net të Eugen Cakollit nga KDI, deklaron se nëse nuk kemi Kuvend të konstituuar para datës 5 mars, atëherë vendi mund të shkoj automatikisht në zgjedhje të reja.

“Me rinumërimin e më shumë se 1/3 të vendvotimeve në nivel vendi, tashmë thuajse është e sigurt se nuk do të kemi certifikim të rezultateve të paktën deri kah fundi i këtij muaji.Duke e ditur që me shumë gjasë ky rinumërim do të prodhoj edhe probleme të tjera të cilat do të detyrojnë KQZ-në që të ketë rinumërime të tjera, nëpër qendrat apo vendvotimet të cilat nuk janë rinumëruar, kjo bart në vete rrezikun e vonimit të procesit të certifikimi të rezultateve që është parakusht për fillimin e procedurave për konstituimin e Kuvendit”,thotë Cakolli.

“Normalisht, përvoja nga e kaluara tregon se kur KQZ-së i janë dashur më shumë se dy muaj për t’i certifikuar rezultatet, që në rastin tonë nënkupton se nëse potencialisht do të arrinim në një situatë të atillë, respektivisht deri me datën 5 mars nuk do të certifikoheshin rezultatet, madje edhe më herë se aq, gjasat janë shumë të mëdha që vendi të shkoj në zgjedhje të reja, të parakohshme parlamentare, ende pa u përmbyllur efektivisht procesi në fjalë”, deklaron ai.

Sipas Cakollit është e domosdoshme që të gjitha procedurat të përmbyllen sa më parë që të jetë e mundur, e sidomos para datës 5 mars, për shkak se nëse 5 marsi e gjen pa rezultate të certifikuara e Kuvend të konstituuar, atëherë ne mund të shkojmë sërish në zgjedhje të reja, për shkak se në kuadrin kushtetues e ligjor në fuqi, nëse presidenti nuk zgjidhet deri me 5 mars, vendi automatikisht shkon në zgjedhje të reja.

“Në rastin tonë do të ishte skenari më i keq i mundshëm, jo vetëm për shkak të krizës institucionale, por edhe për faktin se nëse do të kemi zgjedhje të reja pa u votuar qeveria e re dhe pa u votuar edhe buxheti, atëherë që nga muaji mars, asnjë pagesë, përfshirë këtu pagat, pensionet, shtesat e çfarëdo pagese tjetër nga thesari i shtetit, nuk do të mund të kryhet më, deri në zgjedhjen e qeverisë së re, që i bie minimalisht edhe 2 muaj pas mbajtjes eventuale të zgjedhjeve”,përfundon Cakolli.

E institucionet tona vazhdojnë që prej gati një vit të jenë me ushtrues detyre, që nga shkurti i vitit të kaluar kur u zhvilluan zgjedhjet e para nacionale të cilat nuk sollën asnjë rezultat.

Zvarritjet në formimin e institucioneve ndikuan thuajse në çdo pikë, edhe në fondet evropiane të dedikuara për vendin tonë.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit Vetëvendosje doli partia fituese me 51.11%, PDK mori 20.19%, LDK-ja mori 13.23% dhe AAK-ja me 5%/Lajmi.net/