Gjysma e Kosovës pa rrymë, mbyllen lokalet e bizneset e ndryshme- Ku janë Artane Rizvanolli dhe Gramos Hashani?

Gjysma e vendbanimeve në Kosovë janë duke u përballur me reduktime të rrymës sot. Edhe më keq situata pritet të bëhet, pasi reduktime u paralajmërua të ketë edhe nesër. Sipas KESCO-s, kjo vjen si pasojë e rritjes së konsumit dhe se 50% e energjisë elektrike momentalisht po sigurohet përmes importit, transmeton lajmi.net. “KESCO njofton konsumatorët…

Lajme

14/01/2026 13:35

Gjysma e vendbanimeve në Kosovë janë duke u përballur me reduktime të rrymës sot.

Edhe më keq situata pritet të bëhet, pasi reduktime u paralajmërua të ketë edhe nesër.

Sipas KESCO-s, kjo vjen si pasojë e rritjes së konsumit dhe se 50% e energjisë elektrike momentalisht po sigurohet përmes importit, transmeton lajmi.net.

“KESCO njofton konsumatorët se gjatë ditëve të fundit sistemi elektroenergjetik është duke u përballur me një situatë të jashtëzakonshme, si pasojë e rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, e cila aktualisht nuk mund të mbulohet plotësisht nga prodhimi vendor. Për shkak të kësaj rritjeje, KESCO është e detyruar të sigurojë rreth 50% të energjisë elektrike përmes importit, në kushte shumë të vështira të tregut rajonal dhe ndërkombëtar. Aktualisht, kapacitetet ndërkufitare janë të kufizuara dhe kjo po krijon presion të madh në sigurimin e sasive të nevojshme.”, thuhet ndër të tjera në reagimin e KESCO-s.

KOSTT ndërkohë dje paralajmëroi reduktime, si pasojë e konsumit.

“Në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit, KOSTT është i detyruar të aplikojë kufizimin e ngarkesës (reduktime), sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative.”, thuhet ndër të tjera në reagimin e bërë dje.

Por, derisa qytetarët po përballen me reduktime të tilla, dy figurat kryesore të këtij dikasteri, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe u.d i Kryeshefit të KEK-ut, Gramos Hashani janë të heshtur.

Deri më tani, asnjëri nuk ka dal me ndonjë sqarim apo reagim për situatën me të cilën po përballen një numër i madh i qytetarëve.

Nuk dihet edhe sa do të zgjas kjo gjendje, por situata me energjinë elektrike ka kohë, sidomos në muajt e fundit, që nuk është stabile.

Heshtje dje pati edhe nga Korporata Energjetike e Kosovës. Lajmi.net tentoi disa herë të ketë përgjigje për rënien nga sistemi të bllokut B1, por të njëjtit s’u përgjigjën fare.

Si shkak i mos-funksionimit të këtij blloku probleme pati edhe në ngrohje. Termokos njoftoi se ngrohja po funksionon në nivel të ulët në Prishtinë, si shkak i mos-furnizimit të duhur me energji-elektrike.

Derisa qytetarët po përballen me probleme të mëdha të mungesës së rrymës, shumë biznese u detyruan sot t’i mbyllin zyrat, lokalet e t’i kthejnë punëtorët në shtëpi duke mos pasur mundësi vazhdimin e punës.

Gjeneratorët e ndezur dëgjohen thuajse në çdo lagje, e krejt kjo situatë na kthen në vitet e pasluftës ku reduktimet e rrymës ishin të tmerrshme./Lajmi.net/