Punëtorët teknik paralajmërojnë bllokim shërbimesh për pagën minimale
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se do të këmbëngulë në zbatimin e vendimit për pagën minimale. FSPTSPK u ka bërë thirrje kompanive private, në cilësinë e operatorëve ekonomikë, që të kryejnë llogaritjet e nevojshme financiare për rritjen e pagës minimale…
Lajme
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se do të këmbëngulë në zbatimin e vendimit për pagën minimale.
FSPTSPK u ka bërë thirrje kompanive private, në cilësinë e operatorëve ekonomikë, që të kryejnë llogaritjet e nevojshme financiare për rritjen e pagës minimale dhe t’i adresojnë me kohë kërkesat e tyre pranë autoriteteve kontraktuese përkatëse.
Njoftimi i plotë:
“Për herë të dytë paralajmërojmë kompanitë publiko-private se do të këmbëngulim në mënyrë të vazhdueshme për zbatimin e vendimit për pagën minimale, që nënkupton pagën prej 425 euro për punëtorët e këtyre kompanive.
Në këtë drejtim, kërkojmë nga kompanitë private, në cilësinë e operatorëve ekonomikë, që të bëjnë llogaritjet e nevojshme financiare për rritjen e pagës minimale dhe të adresojnë me kohë kërkesat e tyre pranë autoriteteve kontraktuese përkatëse.
Ju njoftojmë se, nëse pagat e muajit janar nuk dalin me rritje, mund të ketë ndërprerje të shërbimeve në të gjitha institucionet përkatëse. Kjo është një situatë që ne nuk e dëshirojmë, veçanërisht në sektorë të ndjeshëm si spitalet, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe institucionet e tjera arsimore.
Andaj, ftojmë të gjitha palët që të reagojnë me kohë dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.” /Lajmi.net/