Abdixhiku: Kush ka ambicie për kryetar të LDK-së, le ta kërkojë hapur mbështetjen e anëtarësisë – Çdo vendim të kryesisë do ta respektoj
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar sot pas takimit të kryesisë së LDK-së. Ai ka thënë se ky takim ishte joformal, me nënkryetarët e LDK, por me interesim të jashtëzakonshëm publik, për çka i ka falënderuar mediat. “Siç kam deklaruar në konferencën për shtyp natën e zgjedhjeve, e kam për obligim moral, njerëzor dhe…
Lajme
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar sot pas takimit të kryesisë së LDK-së.
Ai ka thënë se ky takim ishte joformal, me nënkryetarët e LDK, por me interesim të jashtëzakonshëm publik, për çka i ka falënderuar mediat.
“Siç kam deklaruar në konferencën për shtyp natën e zgjedhjeve, e kam për obligim moral, njerëzor dhe politik t’ia ofroj dorëheqjen time anëtarësisë së LDK-së, përkatësisht Kuvendit tonë. Nuk e bëj këtë për të ikur nga përgjegjësia, por për t’u përballur me të. Sepse përgjegjësia nuk bartet me justifikime, por me guxim për t’u vënë përpara gjykimit të njerëzve të tu. Kuvendi, si organi më i lartë i partisë, le të vendosë me dinjitet demokratik jo vetëm për fatin e kryetarit dhe timin personal, por edhe për rrugëtimin e ardhshëm të LDK-së”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai i ka falënderuar të gjithë për mesazhet e marra, që nga nata e zgjedhjeve, deri sot, në mesazhe të cilat ka thënë se iu është kërkuar të mos jap dorëheqje.
“Secili prej tyre më ka prekur. Më ka kujtuar sa shumë njerëz kanë besuar, kanë punuar dhe kanë sakrifikuar për këtë shtëpi politike. Dhe pikërisht për ta, nuk kam të drejtë as të fshihem, as të mbrohem pas askujt tjetër. Kam vetëm detyrimin të dal përpara. Sepse mbi çdo ndjenjë personale qëndron përgjegjësia ndaj anëtarësisë dhe ndaj institucionit që përfaqësojmë. Le të vendosë anëtarësia jonë. Kjo është mënyra më e ndershme dhe më e drejtë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka thënë se ka bërë gjithçka që ka ditur dhe ka mundur për LDK, për çka ka thënë se disa beteja i kanë humbur e disa i kanë fituar.
Abdixhiku ka shtuar se gjithmonë ka punuar më shumë për partinë se për veten.
“Në këtë kohë, secili që ka ambicie, vullnet dhe aftësi, le ta kërkojë hapur mbështetjen e anëtarësisë sonë. Demokracia nuk është rehati; është guxim për të hyrë në garë, edhe kur është e vështirë. Fillimisht do ta mbledhim Kryesinë, në një takim zyrtar. Më pas edhe Kuvendin. Dhe çfarëdo që të vendosë anëtarësia, unë do ta respektoj me qetësi dhe dinjitet, sepse mbi çdo emër, mbi çdo funksion, qëndron LDK-ja dhe besimi i njerëzve të saj”, ka shtuar i pari i LDK-së. /Lajmi.net/
Postimi i plotë i tij: