Specialja i reagon Avokatit të Popullit për pranimin e dokumenteve nga Serbia si prova: Nuk do të thotë që gjykatësit do të mbështeten në to

Gjykata Speciale ka reaguar ndaj Avokatit të Popullit në Kosovë, i cili përmes një letre dërguar kryetares së kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilovës, ka ngritur shqetësime, ndër tjerash, për pranimin e disa dokumenteve nga Serbia. Përmes një postimi në “X”, Specialja ka thënë se vendimi për të pranuar prova nga Prokuroria ose Mbrojtja nuk tregon sa…

Lajme

13/01/2026 17:36

Gjykata Speciale ka reaguar ndaj Avokatit të Popullit në Kosovë, i cili përmes një letre dërguar kryetares së kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilovës, ka ngritur shqetësime, ndër tjerash, për pranimin e disa dokumenteve nga Serbia.

Përmes një postimi në “X”, Specialja ka thënë se vendimi për të pranuar prova nga Prokuroria ose Mbrojtja nuk tregon sa peshë ose besueshmëri do t;u japin gjkatësit atyre, nëse do t’u japin peshë.

“Ky vendim merret në kuadër të aktgjykimit në fund të paraqitjes së provave. Gjatë kuvendimeve për lëshimin e aktgjykimit, Trupi Gjykues vlerëson secilën provë duke mbajtur parasysh tërësinë e provave të administruara në gjykim. Gjatë shqyrtimit nëse janë vërtetuar pretendimet faktike, trupi gjykues bën një vlerësim dhe peshim tërësor duke i marrë provat në tërësi. Rregullorja nuk lejon që verdikti i fajësisë të bazohet vetëm në provat e një dëshmitari që Mbrojtja nuk ka pasur mundësinë ta marrë në pyetje”, thuhet në reagimin e Speciales.

Ata gjithashtu kanë thënë se një vendim i gjykatësve për të pranuar prova, nuk do të thotë se gjykatësit duhet të mbështeten në to për aktgjykim.

“Në fund të gjykimit, gjykatësit vlerësojnë secilën provë në kontekst të provave të pranuara, dhe përcaktojnë peshën dhe besueshmërinë që do t’u jepet atyre”, thuhet mes tjerash në reagim.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, përmes një letre drejtuar kryetares së kësaj Gjykate, shkroi ndër tjerash se ka vërejtur “pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat pretendojnë ushtrim juridiksioni mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999”.

“Kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ishte i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, siç është përcaktuar qartë edhe në vendimet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese”, thuhet ndër tjerash në letrën e tij. /Lajmi.net/

Postimi i plotë i Speciales: