Policia publikon statistikat e sigurisë rrugore në Mitrovicën e Veriut për vitin 2025
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor – Mitrovicë Veri, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 ka zhvilluar aktivitete të vazhdueshme policore me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve rrugore. Sipas njoftimit të Policisë, gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 32…
Lajme
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor – Mitrovicë Veri, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 ka zhvilluar aktivitete të vazhdueshme policore me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve rrugore.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 32 plane operative, të cilat kanë pasur për qëllim mbikëqyrjen, kontrollin dhe mbarëvajtjen e trafikut rrugor, me synim rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Policia ka njoftuar se njësitet policore kanë inspektuar vazhdimisht gjendjen e rrugëve dhe kanë adresuar rreziqet potenciale që mund të rrezikojnë sigurinë rrugore, duke bërë kërkesa për evitimin e tyre.
Në zonën e përgjegjësisë së Mitrovicës së Veriut, gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 133 aksidente trafiku. Policia ka identifikuar edhe disa pika me rrezik të shtuar, të njohura si “pika të zeza”, përfshirë udhëkryqe dhe kthesa në lokacione si: Leposaviq, Jarinjë, Sllatinë, Rudar, Serboc, Zubin Potok, Zupç, Varagë, Shtuoce dhe Bërnjak.
Në këtë drejtim, Policia ka apeluar për kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht në kthesa dhe segmente të ngushta rrugore, sidomos gjatë sezonit dimëror.
Bazuar në hetimet e zhvilluara, shkaqet kryesore të aksidenteve trafiku kanë qenë mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, mos mbajtja e distancës së nevojshme ndërmjet automjeteve si dhe drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit.
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor – Mitrovicë Veri ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë rrugore, duke u bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës.
Policia ka bërë të ditur se në vazhdim do të publikohen edhe të dhënat statistikore dhe krahasuese për vitet 2024–2025. /Lajmi.net/