Rama për koalicionet: Të mirëseardhura nëse e transformojnë Kosovën

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se të gjithë të zgjedhurit në kryeqytet dhe në mbarë Kosovën janë rezultat i vullnetit të qytetarëve dhe se çdo koalicion që synon ta transformojë vendin për të mirë duhet të jetë i mirëseardhur. Duke folur për bashkëpunimin politik, Rama theksoi se prioritet duhet të jetë interesi i…

Lajme

13/01/2026 11:06

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se të gjithë të zgjedhurit në kryeqytet dhe në mbarë Kosovën janë rezultat i vullnetit të qytetarëve dhe se çdo koalicion që synon ta transformojë vendin për të mirë duhet të jetë i mirëseardhur.

Duke folur për bashkëpunimin politik, Rama theksoi se prioritet duhet të jetë interesi i Kosovës.

“Unë po them që mendoj që të gjithë të zgjedhurit në kryeqytet, në vend, në Kosovë janë rezultat i votave të qytetarëve për të mirën e Kosovës, çfarëdo koalicioni që hap proceset me transformu vendin tonë për të mirë janë të mirëseardhura”, ka thënë Rama.

Ai u ndal edhe te përvoja e tij e mëhershme me Lëvizjen Vetëvendosje gjatë drejtimit të Komunës së Prishtinës, duke thënë se bashkëpunimi nuk ka qenë i lehtë, shkruan lajmi.net.

“Sa kam qenë në komunë nuk kam pasë eksperiencë të mirë, sepse në dy vitet e para jam munduar me bashkëpunu, por kanë qenë sabotues e bllokues”, deklaroi Rama, duke shtuar se shpreson që në të ardhmen të ketë më shumë bashkëpunim. “Uroj që të jenë bashkëpunues tash, sepse nuk ec shoqëria përpara me sabotime”, tha ai.

Rama theksoi se mandati i tij si kryetar i Kryeqytetit është katërvjeçar dhe se fokusi i tij kryesor mbetet Prishtina dhe qytetarët e saj.

“Unë kam cekur këtë çështje edhe më përpara se jam kryetar i Kryeqytetit dhe kam mandat katërvjeçar”, u shpreh ai.

Ai shtoi se brenda partisë ka njerëz të aftë për të çuar përpara proceset dhe se nuk mendon se gjithçka varet nga ai. “Kemi njerëz të mrekullueshëm brenda partisë që çojnë procese përpara, nuk mendoj që kanë nevojë për mua”, deklaroi Rama.

Në fund, ai theksoi se do të jetë gjithmonë i gatshëm të ndihmojë, por pa e humbur fokusin nga drejtimi i kryeqytetit. “Unë jam këtu për kryeqytetin, për qytetarët e kryeqytetit, jam aty për ndihmë, për çfarëdo ndihme që ka nevojë, por fokusi im është për kryeqytetin”, përfundoi Rama. /Lajmi.net/