KQZ: Pasi të përfundojë shqyrtimi i ankesave, do t’i shpallim rezultatet përfundimtare të 28 dhjetorit

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë se janë të gatshëm për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, mirëpo po presin shqyrtimin e ankesave nga ana e PZAP. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave për administrimin e numërimit në QNR, të plotfuqishmërisë së vendimeve dhe…

Lajme

12/01/2026 11:37

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë se janë të gatshëm për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, mirëpo po presin shqyrtimin e ankesave nga ana e PZAP.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave për administrimin e numërimit në QNR, të plotfuqishmërisë së vendimeve dhe të zbatimit të tyre, nëse këto vendime e detyrojnë ndonjë gjë KQZ-në. Vetëm pas kësaj, KQZ do të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar”, tha Elezi.

Megjithatë, sipas tij, me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet procesi zgjedhor, pasi ligji mundëson kalimin në një fazë tjetër të ankesave, kësaj radhe ndaj rezultateve të shpallura nga KQZ.

“Shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin zgjedhor. Subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj rezultatit, fillimisht në PZAP dhe më pas, çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme. KQZ është e obliguar të presë këto vendime, t’i zbatojë ato dhe vetëm pas kësaj të procedojë me certifikimin e rezultateve”, tha ai.