Mbi 10 mijë nxënës më shumë se sa janë në Kosovë u subvencionuan për libra, MASHT: Një pjesë e mjeteve janë rikthyer në buxhetin e shtetit
Tash e tre vite, furnizimi me tekste dhe materiale shkollore për nxënësit në Kosovë, ka ndryshuar. Kjo nuk bëhet më duke i siguruar MASHT-i librat shkollave, e më pas duke i ndarë ato tek nxënësit e tyre, por duke i subvencionuar drejtpërsëdrejti prindërit e nxënësve me një shumë të caktuar, të cilët më pas e…
Lajme
Tash e tre vite, furnizimi me tekste dhe materiale shkollore për nxënësit në Kosovë, ka ndryshuar.
Kjo nuk bëhet më duke i siguruar MASHT-i librat shkollave, e më pas duke i ndarë ato tek nxënësit e tyre, por duke i subvencionuar drejtpërsëdrejti prindërit e nxënësve me një shumë të caktuar, të cilët më pas e kanë për detyrë t’i blejnë këto libra.
Ndonëse kjo praktikë u kritikua shumë vitin e parë dhe u pa si e komplikuar për disa prind që nuk kanë çasje në teknologji përmes së cilës duhet të aplikojnë për përfitimin e këtyre mjeteve, MASHT-i e realizoi të njëjtën formë edhe në vitin shkollor 2025/26.
Kjo u bë madje pavarësisht raportimeve se shumë prindër këto para i merrnin me shumë vonesë, e madje as nuk mjaftonin për furnizimin e përgjithshëm që iu nevojitej.
Por, përveç problemeve teknike, në përfitimin e këtyre mjeteve u paraqitën edhe disa probleme të tjera.
Siç është raportuar në media, shumë qytetarë të cilët nuk jetojnë fare në Kosovë por jashtë saj i kanë përfituar nga 80 euro për blerjen e librave, ndonëse fëmijët e tyre nuk mësojnë në shkollat e Kosovës.
Madje bëhet e ditur se shumë prindër që jetojnë jashtë Kosovës kanë nga tre- katër fëmijë e për secilin prej tyre aplikonin për subvencione.
Në lidhje me këtë, MASHT ka thënë se procesi i subvencionimit të teksteve dhe materialeve shkollore për vitin 2024/2025, është realizuar mbi bazën e të dhënave zyrtare të siguruara nga Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA).
Por edhe në përgjigjen e MASHT-it u tha se u konstatua se disa nga aplikimet nuk ishin në përputhje me kriteret e thirrjes publike.
“Sipas listave të verifikuara të dorëzuara nga DKA-të, numri i përgjithshëm i nxënësve për vitin shkollor 2024/2025 ka qenë 218,695, ndërsa janë subvencionuar 218,977 aplikues. Pas krahasimit të të dhënave dhe verifikimeve shtesë në bashkëpunim me DKA-të, është konstatuar se një numër i vogël aplikimesh nuk kanë qenë në përputhje me kriteret e thirrjes publike”, kanë thënë nga MASHT.
Ata për lajmi.net, gjithashtu kanë thënë se kanë ndërmarrë menjëherë veprimet përkatëse për verifikimin e këtyre rasteve dhe për rikuperimin e mjeteve të përfituara pa bazë, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
“Procesi është në trajtim dhe një pjesë e mjeteve tashmë janë rikthyer në buxhetin e shtetit”, kanë thënë mes tjerash nga MASHT për lajmi.net.
E nga Agjencia e Statistikave të Kosovës thuhej se gjatë vitit 2024-2025 në Kosovë totalisht ishin 208 mijë e 515 nxënës të regjistruar në të gjitha shkollat, publike dhe private, që i bie një diferencë prej 10 mijë nxënësish sipas të dhënave nga MASHT-i.
Kësisoj bie në pikëpyetje të shumta fakti se ku u shpenzua një pjesë e madhe e buxhetit të Kosovës që sipas MASHT-it u dha për librat e nxënëseve që në fakt s’janë në Kosovë.
Ndryshimi i praktikës së sigurimit të teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e shkollave fillore, nga Qeverisja e ministres tashmë në detyrë, Arbërie Nagavcit, është kritikuar nga njohës të fushës, por edhe nga prindërit.
Ata në vazhdimësi kanë deklaruar se po kanë probleme në gjetjen e librave e edhe se shpesh paratë nuk po iu mjaftojnë pasi që libraritë po i rrisin çmimet.
Qeveria e re që pritet të zgjidhet pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, nuk dihet nëse do të vazhdoj me këtë praktikë apo do ta ndryshoj atë duke u rikthyer në formën e vjetër të sigurimit të librave. /Lajmi.net/