Gjykata në Prizren cakton masa sigurie për 39 të dyshuarit për keqpërdorim dhe falsifikim dokumentesh

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka caktuar masa sigurie ndaj 39 të pandehurve, të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale, duke përfshirë keqpërdorimin e besimit, keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike dhe falsifikimin e dokumenteve. Gjyqtari i procedurës paraprake, Fatmir Krasniqi, ka vendosur paraburgim për katër të pandehurit kryesorë – S.M., V.B., F.S.…

Lajme

10/01/2026 15:42

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka caktuar masa sigurie ndaj 39 të pandehurve, të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale, duke përfshirë keqpërdorimin e besimit, keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike dhe falsifikimin e dokumenteve.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Fatmir Krasniqi, ka vendosur paraburgim për katër të pandehurit kryesorë – S.M., V.B., F.S. dhe Y.Ç. – për një muaj, i cili mund të zgjasë deri më 08 shkurt 2026. Arsyet për caktimin e paraburgimit lidhen me rrezikun e arratisjes dhe nevojën për të siguruar zhvillimin e procedurës hetimore, raporton lajmi.net

Të pandehurit e tjerë, 35 në numër, janë të obliguar të paraqiten një herë në javë në stacionin policor përkatës dhe u është ndaluar të afrohen te të dëmtuarit apo vendet e caktuara. Në rast se nuk respektojnë këto masa, do të përballen me paraburgim.

Gjykata ka vlerësuar se nga provat e mbledhura deri në këtë fazë ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen. Masat e sigurisë janë marrë me qëllim parandalimin e arratisjes, sigurimin e prezencës së tyre në procedurë hetimore dhe parandalimin e ndikimit mbi dëshmitarët dhe provat.

Ky vendim është marrë sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, duke respektuar afatet ligjore për seancat dëgjimore dhe caktimin e masave sigurie, duke pasur parasysh numrin e madh të të pandehurve në këtë rast./Lajmi.net/