Agim Ademi uron fituesit e ceremonisë “Laureatët 2025” në Prizren

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka marrë pjesë sot në ceremoninë “Laureatët 2025”, të organizuar nga Lidhja Rajonale e Futbollit e Prizrenit, ku u shpërblyen më të mirët e garave të zhvilluara gjatë vitit në këtë regjion. Në postimin e tij, Ademi ka vlerësuar ceremoninë si një ngjarje të mbushur…

Sport

10/01/2026 15:25

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka marrë pjesë sot në ceremoninë “Laureatët 2025”, të organizuar nga Lidhja Rajonale e Futbollit e Prizrenit, ku u shpërblyen më të mirët e garave të zhvilluara gjatë vitit në këtë regjion.

Në postimin e tij, Ademi ka vlerësuar ceremoninë si një ngjarje të mbushur me emocione, krenari dhe respekt për punën e madhe që bëhet çdo ditë në shërbim të futbollit, raporton lajmi.net

Ai ka theksuar rolin e Prizrenit si një vatër e futbollit, që vazhdimisht nxjerr talente të reja.

“Në sytë e fëmijëve dhe të rinjve që u shpërblyen sot shihej qartë e ardhmja e futbollit tonë. Ata janë forca dhe shpresa jonë që ky sport do të vazhdojë të rritet dhe të ecë përpara”, ka shkruar Ademi.

Kryetari i FFK-së u ka uruar suksese të gjithë laureatëve, duke i inkurajuar të vazhdojnë të punojnë fort dhe të ndjekin ëndrrat e tyre. Ai gjithashtu ka uruar një vit 2026 të suksesshëm për të gjithë, me fitore, përparim dhe momente krenarie për Prizrenin dhe për futbollin e Kosovës./Lajmi.net/