Pretendimet e avokatëve se 35 të ndaluarit po mbahen kundërligjshëm në paraburgim, përgjigjet gjykata: U bë konform ligjit

Gjykata Themelore në Prizren ka reaguar pas pretendimeve të avokatëve mbrojtës se të arrestuarit në skandalin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) po mbahen jashtëligjshëm në paraburgim, duke thënë gjyqtari i procedurës ka ndërmarrë veprimet konform ligjeve. Avokati Yll Zekaj tha se 35 të ndaluarit po mbahen kundërligjshëm në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan edhe…

Lajme

10/01/2026 15:01

Gjykata Themelore në Prizren ka reaguar pas pretendimeve të avokatëve mbrojtës se të arrestuarit në skandalin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) po mbahen jashtëligjshëm në paraburgim, duke thënë gjyqtari i procedurës ka ndërmarrë veprimet konform ligjeve.

Avokati Yll Zekaj tha se 35 të ndaluarit po mbahen kundërligjshëm në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan edhe pas skadimit të afatit ligjor.

Sipas tij, pavarësisht kësaj kërkese, Gjykata nuk ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të këtyre të ndaluarve, por ka vendosur që ata të kthehen në ndalim, pa një vendim të veçantë, në pritje të marrjes së aktvendimit për masën e sigurisë jashtë seancës. Ai ka shtuar se gjyqtari, sipas tij, kishte deklaruar gojarisht se vendimi do të merrej sot rreth orës 10:00.

“I vetmi vendim i ligjshëm qe ekziston deri tani ne kete rast eshte ai i ndalimit per 48 ore, i cili ka skaduar sot ne ora 10:00. Edhe pse vendimi ka skaduar qe 2 ore, 35 te ndaluarit jane duke u mbajtur ne menyre te kunderligjshme nga Burgu i Lipjanit, pa asnje vendim”, kishte thënë Zekaj.

Këtij pretendimi i ka dhënë përgjigje Gjykata Themelore e Prizrenit përmes një komunikate për media.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, në përfundim të seancës (ora 22.10), ka konstatuar në procesverbal se të pandehurit do të kthehen në qendrat e tyre të ndalimit në mënyrë që Gjykata do t’i njoftojë lidhur me aktvendimit për propozimin/kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren. Ky vendim i Gjyqtarit të procedurës paraprake është marrë konform neni 162 të Kodit të Procedurës Penale, paragrafi 8 ku thuhet se “ Sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se brenda dyzetetetë (48) orëve nga arresti, gjyqtari i procedurës paraprake mban seancën dëgjimore për të vendosur nëse i pandehuri duhet të mbahet në paraburgim (në rastin konkret brenda 48 orësh është mbajtur seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore Prizren), dhe në vazhdim të paragrafit thuhet se “Në pritje të vendimit të gjykatës, i pandehuri mund të mbahet nën ndalim”, çka edhe Gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar në procesverbal në rastin konkret”, thuhet në reagimin e gjykatës.

Gjykata po ashtu tha se sot në momentin kur të përpilohet vendimi i plotë në formë të shkruar, do të njoftohen palët dhe publiku për vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake.