PZAP-ja hedh poshtë si të pasafatshme ankesën e PDK-së për votat nga diaspora

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë si të pasafatshme ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila kërkoi anulimin e fletëvotimeve të pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2025. Paneli i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi Alaj dhe Skender Çoçaj, konstatoi se ankesa është parashtruar jashtë afatit ligjor prej…

Lajme

09/01/2026 19:18

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë si të pasafatshme ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila kërkoi anulimin e fletëvotimeve të pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2025.

Paneli i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi Alaj dhe Skender Çoçaj, konstatoi se ankesa është parashtruar jashtë afatit ligjor prej 48 orësh.

“Hedhet e pasafatshme ankesa ZP.Anr.69/2025, e datës 08.01.2026, e parashtruar nga subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar që të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të anuloj të gjitha fletëvotimet të pranuara me postë pas datë 29.12.2025 dhe të përjashtoj nga numërimi të gjitha fletëvotimet të pranuara pas këtij afati përfshirë ato të pranuara me 02.01.2026 dhe 05.01.2026, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Sipas PZAP shkelja e supozuar ka ndodhur më datat 2 dhe 5 janar 2026 (kur janë tërhequr pakot), derisa ankesa në PZAP është dorëzuar më 8 janar 2026. Për pasojë, paneli e hodhi ankesën pa e shqyrtuar bazueshmërinë e saj lëndore.

PDK kishte pretenduar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shkelur Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme duke numëruar fletëvotime që kanë arritur në kutitë postare më 2 dhe 5 janar 2026.