PDK mirëpret vendimin e Kushtetueses: 13 ligje të Qeverisë Kurti shpallen antikushtetuese

Partia Demokratike e Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin shpallen antikushtetuese 13 ligje të miratuara nga Qeveria Kurti më 5 dhjetor 2024, ligje këto të kontestuara nga deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së. Ky vendim përbën një konfirmim të qartë institucional se shumica qeverisëse ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar…

Lajme

09/01/2026 18:03

Partia Demokratike e Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin shpallen antikushtetuese 13 ligje të miratuara nga Qeveria Kurti më 5 dhjetor 2024, ligje këto të kontestuara nga deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së.

Ky vendim përbën një konfirmim të qartë institucional se shumica qeverisëse ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve, rolin kushtetues të deputetit, Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, si dhe funksionimin e komisioneve parlamentare.

Aktgjykimi dëshmon se procedurat parlamentare janë përdorur si instrument force politike dhe jo si mekanizëm demokratik i vendimmarrjes.

Konstatimet e Gjykatës Kushtetuese nxjerrin në pah rëndësinë e veprimit opozitar të përgjegjshëm të PDK-së, e cila ka zgjedhur rrugën institucionale për të mbrojtur rendin kushtetues përballë një qeverisjeje që ka shfaqur prirje të vazhdueshme antikushtetuese dhe përqendrim të kundërligjshëm të pushtetit.

Partia Demokratike e Kosovës rithekson se Kushtetuta është themeli i shtetit dhe se asnjë shumicë parlamentare nuk ka të drejtë ta relativizojë apo ta shkelë atë në emër të pushtetit momental.

PDK mbetet e vendosur të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional në mbrojtje të rendit kushtetues, sundimit të ligjit dhe funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse shteti i së drejtës mbrohet çdo ditë dhe jo vetëm atëherë kur i konvenon pushtetit.