Policia me detaje për vërshimet në veri: Një urë është mbyllur për shkak të dëmtimeve, janë evakuuar 4 familje

E rëndë vazhdon të jetë situata pas vërshimeve të shumta tash e sa ditë. E sot, Policia e Kosovës u deklarua për gjendjen në veri të vendit pas reshjeve të shumta e vërshimeve në këtë komunë. Nga Policia është theksuar se gjendja e sigurisë dhe rendit publik në veri, është nën monitorim të vazhdueshëm. Nga…

Lajme

09/01/2026 12:41

E rëndë vazhdon të jetë situata pas vërshimeve të shumta tash e sa ditë.

E sot, Policia e Kosovës u deklarua për gjendjen në veri të vendit pas reshjeve të shumta e vërshimeve në këtë komunë.

Nga Policia është theksuar se gjendja e sigurisë dhe rendit publik në veri, është nën monitorim të vazhdueshëm.

Nga policia po ashtu theksohet edhe se, ata kanë qenë në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante, si Njësinë e Zjarrfikësve dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, transmeton lajmi.net.

Policia bëri të ditur se vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Gjithashtu u njoftua se si shkak i vërshimeve, ura në Leposaviq është mbyllur për qarkullim.

“Ndërkaq, më datë 08.01.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar. Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës”,thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Njoftim i Policisë së Kosovës lidhur me situatën pas vërshimeve në veri të vendit

Mitrovicë Veri , 09.01.2026

Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri informon opinionin publik se pas situatës së krijuar si pasojë e vërshimeve të fundit, gjendja e sigurisë dhe rendit publik në veri të vendit është nën monitorim të vazhdueshëm.

Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka qenë e angazhuar në terren dhe në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante, përfshirë komunat përkatëse, Njësinë e Zjarrfikësve dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe parandalimit të rreziqeve të mundshme për qytetarët.

Vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Ndërkaq, më datë 08.01.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar. Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës.

Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër (4) familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e vërshimeve.

Situata aktualisht është e menaxhueshme dhe Policia e Kosovës po vazhdon monitorimin e gjendjes në terren. Qytetarët për çdo vështirësi apo rast emergjent mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore./Lajmi.net/