Hykmete Bajrami: LDK do të rikthehet e para, me punë dhe besim – dorëzimi nuk është opsion

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se votat për të janë përgjegjësi e madhe dhe motiv për të vazhduar punën me përkushtim dhe guxim. Në një postim për opinionin, Bajrami njofton se nga 126 102 votues të LDK-së, 57…

Lajme

09/01/2026 11:08

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se votat për të janë përgjegjësi e madhe dhe motiv për të vazhduar punën me përkushtim dhe guxim.

Në një postim për opinionin, Bajrami njofton se nga 126 102 votues të LDK-së, 57 153 kanë votuar për të, duke e bërë për herë të shtatë deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ajo ka theksuar se votat nuk janë vetëm shifra, por shprehje e mirënjohjes për punën e saj gjatë këtyre viteve, transmeton lajmi.net.

“Gjatë mandateve të kaluara kam punuar pa u ndalur kundër korrupsionit, për transparencë dhe llogaridhënie, për mbrojtjen e interesit publik, për forcimin e shtetit të së drejtës, për drejtësi sociale dhe barazi. Por lufta nuk ka mbaruar,” ka thënë Bajrami, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve, pa kompromis dhe pa frikë.

Ajo ka nënvizuar gjithashtu se dorëzimi i LDK-së nuk është opsion dhe se rezultatet e zgjedhjeve duhet të shërbejnë si mësim dhe reflektim për të gjithë anëtarët e partisë. Bajrami ka bërë thirrje për ringritje dhe rikthim të LDK-së si forcë kryesore politike, duke vendosur partinë para individit dhe Kosovën para çdo interesi partiak.

“Në LDK nuk do të ndalemi, duhet dhe do të rikthehemi e para, me punë, besim dhe me ekip,” ka përfunduar Bajrami.

Postimi i plotë: 

Të dashur qytetarë të Kosovës,
Tani, kur procesi i numërimit të votave ka përfunduar, më lejoni të falënderoj 126 102 votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga këta, plot 57 153 më kanë dhënë besimin me votë mua, duke më bërë për herë të shtatë deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ju jam mirënjohëse secilit prej jush.
Votat për mua nuk janë vetëm shifër, për mua janë mirënjohje e thellë për punën që kam bërë gjatë këtyre viteve, por mbi të gjitha janë përgjegjësi e madhe që më shtyn të vazhdoj me të njëjtin përkushtim, ndershmëri dhe guxim.
Gjatë mandateve të kaluara kam punuar pa u ndalur: kundër korrupsionit, për transparencë dhe llogaridhënie, për mbrojtjen e interesit publik, për forcimin e shtetit të së drejtës, për drejtësi sociale dhe barazi, aq sa kam pasur hapësirë dhe kapacitet. Por lufta nuk ka mbaruar. Sot, më shumë se kurrë, propaganda, korrupsioni dhe përpjekjet për rrënimin e demokracisë po sulmojnë themelet e shtetit tonë. Kundër tyre do të vazhdoj të jem zëri i juaj, pa kompromis dhe pa frikë. Do të punoj çdo ditë për të vërtetën, sepse vetëm e vërteta na çliron, na bashkon dhe na çon përpara.
Por dua ta bëj të qartë për secilin se vetëm një gjë nuk është opsion: dorëzimi i LDK-së. Pavarësisht rezultatit, pavarësisht rrethanave, LDK ka ndërtuar dhe ndërton çdo ditë standarde, edhe kur fiton, edhe kur nuk arrin rezultatin për të cilin ka punuar dhe ka synuar. Rezultati i 28 dhjetorit është përgjegjësi për secilin prej nesh, mësim për secilin prej nesh dhe reflektim për secilin prej nesh. Nuk ka rrugë tjetër përveç ringritjes dhe rikthimit të LDK-së, duke vendosur gjithmonë LDK-në para individit dhe Kosovën para çdo partie.
E kam shkruar dhe po e përsëris edhe një herë: së bashku nuk do të ndalemi, LDK duhet dhe do të rikthehet e para, me punë, me besim dhe me ekip.
Faleminderit!/lajmi.net/