Minatorët e Trepçës nën presion të vazhdueshëm dhe largime të padrejta – Sindikata paralajmëron hapa konkret dhe ragim nga Prokuroria Speciale

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ashpër ndaj, siç e ka quajtur, largimit të vazhdueshëm dhe të padrejtë të minatorëve nga puna, duke akuzuar menaxhmentin e ndërmarrjes për përndjekje selektive dhe presion ndaj punëtorëve që kanë bindje ndryshe. Në reagimin e saj, Sindikata shpreh shqetësim të thellë për veprimet e fundit disiplinore,…

Lajme

09/01/2026 10:43

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ashpër ndaj, siç e ka quajtur, largimit të vazhdueshëm dhe të padrejtë të minatorëve nga puna, duke akuzuar menaxhmentin e ndërmarrjes për përndjekje selektive dhe presion ndaj punëtorëve që kanë bindje ndryshe.

Në reagimin e saj, Sindikata shpreh shqetësim të thellë për veprimet e fundit disiplinore, duke theksuar se ato po zhvillohen në mënyrë të njëanshme dhe nën ndikime direkte, pa u bazuar në ligj, fakte apo rregullore të brendshme, transmeton lajmi.net.

Sipas Sindikatës, për vite me radhë në Trepçë janë evidentuar keqmenaxhime dhe keqpërdorime serioze, të cilat kanë shkaktuar humbje të mëdha financiare, pa u mbajtur përgjegjësi nga udhëheqja e ndërmarrjes. Ajo vlerëson se pasojat e këtyre dështimeve po tentohen t’u barten minatorëve, të cilët, sipas tyre, po trajtohen padrejtësisht si fajtorë.

Në njoftim thuhet se minatorëve po u mohohet e drejta në mbrojtje ligjore, informim të drejtë dhe trajtim të barabartë në marrëdhëniet e punës, ndërsa institucionet përgjegjëse po heshtin përballë këtyre shkeljeve.

Sindikata ka kritikuar edhe mosreagimin e Inspektoratit të Punës, vonesat e Prokurorisë në trajtimin e rasteve të dyshuara për keqpërdorime, si dhe zvarritjen e procedurave gjyqësore, duke e cilësuar drejtësinë si të vonuar dhe të mohuar për minatorët.

“Po cenohet rëndë e drejta për dinjitet në punë, për siguri dhe për trajtim njerëzor. Nëse minatori nuk mbrohet nga ligji dhe institucionet, kush e mbron atë?”, thuhet në reagim.

Sindikata u ka bërë thirrje minatorëve që të ruajnë qetësinë, unitetin dhe dinjitetin, duke theksuar se nuk kërkon konflikt, por drejtësi dhe trajtim të barabartë. Po ashtu, është paralajmëruar se së shpejti do të ndërmerren hapa konkretë në bashkëpunim me minatorët për të kërkuar zgjidhje.

Në fund, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës i ka bërë thirrje publike Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të nisë hetime serioze lidhur me, siç thuhet, keqmenaxhimet dhe përndjekjen ndaj minatorëve.

Reagimi i plotë: 

Reagim për largimin e vazhdueshëm dhe të padrejtë të minatorëve nga Puna.
Të nderuar minatorë,
të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Shprehim shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë të thellë për përndjekjen selektive dhe presionin që po ushtrohet ndaj minatorëve në ditët e fundit, për secilin që ka bindje tjetër dhe mendon ndryshe nga menaxhmenti i ndërmarrjes, në një kohë kur problemet reale në Trepçë vazhdojnë të mbesin pa përgjegjësi dhe pa zgjidhje.
Ndër vite janë evidentuar keqmenaxhime dhe keqpërdorime serioze, me humbje të mëdha financiare, për të cilat askush nga udhëheqja nuk ka dhënë llogari.
Sot, pasojat e këtyre dështimeve po tentohen t’u barten minatorëve, të cilët po trajtohen si fajtorë për gabime që nuk i kanë shkaktuar.
Komisionet disiplinore po veprojnë në mënyrë selektive dhe të njëanshme, nën ndikim dhe direktiva, jo mbi bazë të ligjit, fakteve dhe rregulloreve.
Minatorëve po u mohohet e drejta në mbrojtje, në informim të drejtë dhe në trajtim të barabartë në raportet e punës.
Në këtë situatë, institucionet përgjegjëse po heshtin dhe po vonohen në reagim.
Inspektorati i Punës nuk po reagon ndaj shkeljeve të vazhdueshme në marrëdhëniet e punës. Prokuroria po vonon trajtimin e rasteve të dyshuara për keqpërdorime dhe shkelje ligjore. Gjykatat po zvarrisin procedurat, duke e bërë drejtësinë të vonuar dhe praktikisht të mohuar për minatorin.
Shtrojmë publikisht pyetjen:
Nëse minatori nuk mbrohet nga ligji dhe institucionet, kush e mbron atë?
Po cenohet rëndë e drejta elementare për dinjitet në punë, për siguri, për trajtim njerëzor dhe për drejtësi.
Është më e lehtë të ndërtosh karrierë personale duke mbyllur sytë para padrejtësive sesa të marrësh përgjegjësi për t’i ndrequr ato.
Ne besojmë se drejtësia mund të vonojë, por nuk mund të shuhet. Edhe nëse sot dikush i shmanget përgjegjësisë, nesër ajo do të kërkohet nga ligji, nga shoqëria dhe nga vetë historia.
U bëjmë thirrje minatorëve që të ruajnë qetësinë, unitetin dhe dinjitetin e tyre.
Ne nuk kërkojmë konflikt, por drejtësi. Nuk kërkojmë privilegje, por trajtim të barabartë dhe njerëzor.
Dhe se pavarsisht kostos që padrejtesisht na e faturoni neve si minator, asnjeher nuk do të mund të na nënshtroni dhe të na e ndrroni bindjen.
Sindikata është duke e ndjekur situatën me vëmendje të plotë dhe së shpejti do të ndërmarrë hapa konkretë, bashkë me minatorët, për të kërkuar zgjidhje dhe drejtësi.
Prandaj tani, për të saten herë, i bëjme ftesë publike Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të zhvilloj hetime serioze dhe të mos rrij duarkryq përball kësaj katrahure dhe përndjekje./lajmi.net/