IKSHPK u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar pas reshjeve të shtuara të shiut
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka lëshuar rekomandime për qytetarët, duke kërkuar kujdes të shtuar për shëndetin publik si pasojë e reshjeve të shtuara të shiut në disa zona të vendit. Sipas njoftimit zyrtar, aktualisht nuk ka të dhëna që tregojnë për ndotje të ujit. Megjithatë, IKSHPK rekomandon që qytetarët të cilët…
Lajme
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka lëshuar rekomandime për qytetarët, duke kërkuar kujdes të shtuar për shëndetin publik si pasojë e reshjeve të shtuara të shiut në disa zona të vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, aktualisht nuk ka të dhëna që tregojnë për ndotje të ujit. Megjithatë, IKSHPK rekomandon që qytetarët të cilët furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur, për arsye sigurie nga aspekti bakteriologjik, ta vlojnë ujin para përdorimit ose të shfrytëzojnë burime alternative të sigurta për furnizim me ujë.
Instituti po ashtu këshillon që ushqimi të ruhet në vende të sigurta dhe të mos konsumohet ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e shiut, për të shmangur rreziqet shëndetësore.
Një apel i veçantë u drejtohet grupeve më të ndjeshme, përfshirë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, të cilëve u rekomandohet të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë kësaj periudhe.
IKSHPK bën të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht dhe u bën thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare për informata të mëtejme. /Lajmi.net/