KQZ përshpejton procesin e numërimit, rezultatet përfundimtare priten së shpejti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon procesin e numërimit të votave të zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor, me synimin që rezultatet përfundimtare të publikohen sa më shpejt. Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se institucionet zgjedhore janë të angazhuara intensivisht në përmbylljen e të gjitha procedurave të…

Lajme

02/01/2026 10:52

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon procesin e numërimit të votave të zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor, me synimin që rezultatet përfundimtare të publikohen sa më shpejt.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se institucionet zgjedhore janë të angazhuara intensivisht në përmbylljen e të gjitha procedurave të nevojshme.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me aktivitetet të cilat kanë për qëllim të shpallin në një kohë sa më të shpejtë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor”, tha Elezi.

Ai sqaroi se rreth 58 mijë shtetas janë regjistruar për votim me postë, mirëpo procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare ende nuk ka përfunduar, ndaj nuk ka ende të dhëna të sakta se sa prej tyre kanë marrë pjesë në votim.

Po ashtu, Elezi njoftoi se numërimi i votave për kandidatët për deputetë po vazhdon në disa komuna të vendit, përfshirë Prishtinën, Pejën, Prizrenin, Podujevën, Gjilanin dhe Ferizajn.