Kurti: KEK prodhon me kapacitet maksimal, mbi 500 milionë euro investime në transformim

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ndodhet në një moment historik transformimi, falë investimeve të mëdha dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese. Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se që nga 19 dhjetori, KEK-u është duke prodhuar me kapacitet maksimal, me pesë njësi gjeneruese aktive, duke kontribuar në…

Lajme

01/01/2026 16:55

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ndodhet në një moment historik transformimi, falë investimeve të mëdha dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se që nga 19 dhjetori, KEK-u është duke prodhuar me kapacitet maksimal, me pesë njësi gjeneruese aktive, duke kontribuar në sigurinë e furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së konsumit të lartë.

Ai theksoi se investimet në KEK tejkalojnë 500 milionë euro dhe kanë për qëllim modernizimin e ndërmarrjes, rritjen e qëndrueshmërisë dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas Kurtit, modernizimi i turbinave në njësitë B1 dhe B2, rehabilitimi i njësisë A3, investimet në termocentralet Kosova A dhe B, si dhe hyrja e KEK-ut në sektorin e energjisë së ripërtërishme përmes parkut solar, janë projekte kyçe për sigurinë energjetike dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.

Me përfundimin e këtyre projekteve, Kosovës pritet t’i shtohen rreth 150 MW kapacitete shtesë në termocentralet ekzistuese dhe 100 MW kapacitete të reja nga burimet e ripërtërishme.

Kurti ka falënderuar edhe punonjësit, menaxhmentin e KEK-ut, Bordin e Drejtorëve dhe Ministrinë e Ekonomisë për angazhimin dhe mbështetjen në këto projekte. /Lajmi.net/