Numërohen afër 80 për qind të votave për deputetë, top 10-shet e partive politike
Rreth 80 për qind e rezultateve të kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit janë numëruar në Qendrat Komunale të Numërimit. Nga një mijë e 992 vendvotime të procesuara, del se Lëvizja Vetëvendosje i ka marrë 332 mijë e 173 vota apo 48.49 për qind. Kreu i saj, Albin Kurti prin me 271 mijë…
Lajme
Rreth 80 për qind e rezultateve të kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit janë numëruar në Qendrat Komunale të Numërimit.
Nga një mijë e 992 vendvotime të procesuara, del se Lëvizja Vetëvendosje i ka marrë 332 mijë e 173 vota apo 48.49 për qind.
Kreu i saj, Albin Kurti prin me 271 mijë e 746 vota, i pasuar edhe nga nëntë deputetë tjerë që u votuan më së shumti.
Pjesë e kësaj liste janë, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla Schëars, Xhelal Sveçla, Hajrullah Çeko, Avni Dehari, Mimoza Kusari Lila e Ejup Maqedonci.
Me 147 mijë e 922 vota renditet e dyta Partia Demokratike e Kosovës, apo shprehur në përqindje 21.59 për qind.
Në dhjetëshën e këtij subjekti, shihen dy emra si befasi të këtyre zgjedhjeve, Arian Tahiri e Arben Mustafa që nuk ishin më herët pjesë e Kuvendit.
Pas tyre, janë Përparim Gruda, Uran Ismaili, Sala Jashari, Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Rrahman Rama, Nait Hasani.
Sipas numërimeve të deritashme, Lidhja Demokratike e Kosovës mori 87 mijë e 216 vota apo 12.73 për qind.
Edhe në këtë subjekt, në dhjetëshe janë dy emra që nuk ishin më herët pjesë e politikës, Ukë Rugova dhe Janina Ymeri.
Të pasuar nga Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Doarsa Kica Xhelili, Kujtim Shala, Anton Quni, Armend Zemaj, Lutfi Haziri e Jehona Lushaku Sadriu.
Ndërkaq, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duket se ka siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës me 38 mijë e 418 vota.
Pas Ramush Haradinajt që është më i votuari, janë vëllau i tij Dauti, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Agim Çeku i cili ishte për herë të parë në garë, dhe Time Kadrijaj, Burim Ramadani, Arbër Tolaj e Lahi Brahimaj.
Kurse sipas rezultateve preliminare dhe atyre të numëruara deri më tash, Nisma Socialdemokrate nuk ka arritur ta kalojë pragun për të hyrë në Kuvend.
KQZ ka njoftuar se numërimi nëpër QKN do të vazhdojë pasditen e 1 janarit, ku kanë mbetur që të procesohen edhe votat me kusht, nga diaspora dhe ato të personave me nevoja të veçanta./teve1