Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Haziri flet hapur: LDK nuk i përmbushi pritjet
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke e cilësuar vitin 2025 si një periudhë të rëndë me procese zgjedhore dhe nevojë për reflektim të thellë politik. Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Haziri ka pranuar se LDK nuk arriti t’i përmbushë pritjet në këto zgjedhje, duke ia…
Lajme
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke e cilësuar vitin 2025 si një periudhë të rëndë me procese zgjedhore dhe nevojë për reflektim të thellë politik.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Haziri ka pranuar se LDK nuk arriti t’i përmbushë pritjet në këto zgjedhje, duke ia atribuar rezultatin, sipas tij, “një popullizmi të paparë, presionit dhe frikës së mbjellë gjatë fushatës”.
Ai ka theksuar se LDK historikisht është dalluar nga partitë e tjera për qasjen e saj paqësore dhe bashkëpunuese në politikë.
“Kur të tjerët thërrisnin për luftë, ne ftonim për paqe; kur rivalët ftonin në garën e pështymës, ne ftonim për bashkëpunim”, ka shkruar Haziri, duke shtuar se qytetarët duhet të udhëhiqen drejt normalitetit dhe jo drejt errësirës politike.
Sipas tij, ky është momenti i fundit për reflektim serioz brenda partisë, pasi pragmatizmi, që dikur ishte sinonim i LDK-së, ka filluar të zbehet. Haziri ka bërë të ditur se këtë shqetësim e ka ngritur edhe më herët në mënyrë publike.
Duke rikujtuar angazhimin e tij 36-vjeçar në LDK, Haziri ka theksuar se kjo parti i ka dhënë ideale për kombin, besim në Republikë dhe përkushtim ndaj atdheut, duke shtuar se do të mbetet besnik ndaj saj pavarësisht rezultateve zgjedhore.
Ai ka përmendur edhe figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke theksuar se filozofia e tij politike u ka mësuar anëtarëve të LDK-së të ruajnë respektin dhe unitetin edhe në dallime, pa i trajtuar kundërshtarët politikë si armiq.
Në fund të mesazhit, Haziri ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë dhe ka uruar që viti 2026 të sjellë më shumë mirëqenie, harmoni dhe dashuri në familje.
Ai ka ndarë gjithashtu një mesazh personal, duke kujtuar humbjen e vëllait të tij, Bedri Haziri, të cilën e ka cilësuar si dhimbjen më të madhe për familjen e tij. /Lajmi.net/