Rreth 25 milionë euro fitim, Kurti thur lavde për Telekomin
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar të mërkurën Telekomin e Kosovës. Kurti tha se Telekomi po shënon rezultate pozitive, ku në tri vitet e fundit ka realizuar rreth 25 milionë euro fitim gjithsej. Ai tha se investimet në Telekom përmes kredisë së qeverisë kanë…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar të mërkurën Telekomin e Kosovës.
Kurti tha se Telekomi po shënon rezultate pozitive, ku në tri vitet e fundit ka realizuar rreth 25 milionë euro fitim gjithsej.
Ai tha se investimet në Telekom përmes kredisë së qeverisë kanë bërë që Vala të jetë lider në shërbime në Kosovë.
Madje Kurti theksoi se kjo ka bërë që edhe operatorët e tjerë në sektorin e telekomunikimit të investojnë për t’iu shërbyer më mirë qytetarëve.
“Për tri vjet rresht Telekomi është duke shënuar rezultate dhe këto shifra flasin shumë. Në vitin 2023 mbi shtatë milionë euro fitim, në vitin 2024 sërish mbi shtatë milionë euro fitim dhe sivjet mbi 10 milionë euro fitim. Për këto tri vjet Telekomi i Kosovës ka performancë pozitive financiare me rreth 25 milionë euro fitim gjithsej. Ndërkohë sistemi bazë i transmetimit përbëhet prej 551 bities, ku 15 prej të cilëve janë në veriun e Kosovës, ku po ofrohen shërbime për qytetarët pa dallim. Vala është lider në shërbime, ku e ka mbuluar vendin me 4G dhe 5G… Sinjal dhe shtytje të duhur gjithë sektorit. Konkretisht edhe operatori tjetër i telefonisë mobile ka filluar të investojë pas shumë vitesh. Edhe operatorë të tjerë të shërbimeve fikse po investojnë, po rriten dhe po zgjerohen. Investimet që bën Telekomi po e detyrojnë edhe konkurrencën që të ndjekë hapin dhe t’iu shërbejë më mirë qytetarëve të Republikës”, tha ai.
Ndërkaq, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kredia e qeverisë ndaj Telekomit nuk është subvencion, por e njëjta do t’i kthehet ekzekutivit.
“Telekomi i Kosovës para qeverisjes tonë ka pasur rreth 150 milionë euro humbje të akumuluara. Ndërkaq, në më pak se tri vitet e fundit, tashmë deri në tremujorin e tretë të këtij viti i ka 21 milionë euro fitim, ndërsa deri në fund të vitit pritet t’i ketë së paku 25 milionë euro fitim. Kjo ka qenë pak e besueshme për shumë njerëz, por unë jam krenare dhe e lumtur me gjithë punën që e ka bërë Telekomi i Kosovës. Gjëja e dytë që dua të cek është se në opinion publik ka shpesh kritika dhe dilema për suksesin, duke thënë se kjo është falë përkrahjes së qeverisë. E para është se kredia nuk është subvencion dhe në pasqyrat financiare kredia nuk reflektohet si e hyrë dhe fitimi nuk po vjen nga kredia. Kredia mundëson që të bëhen investime që pastaj kthehen në të hyra, por fitimi nuk është rezultat i kredisë. Tjetra është se përkrahja e qeverisë në çfarëdo forme që është ajo nuk mund të konsiderohet diçka prej së cilës duhet të frikohemi”, tha Rizvanolli.
Kryesuesja e Bordit të Telekomit, Sanije Thaçi, tha se me strukturën e re, Telekomi është ristrukturuar dhe po funksionon me katër departamente, ndryshe nga e kaluara me 14 sosh.
“Në vitin 2021 Telekomin e kemi gjetur në një gjendje të rëndë, me 14 departamente, dhe tani Telekomi me strukturë të re funksionon perfekt me katër departamente. Ne do të vazhdojmë me këto rezultate dhe çdo sfidë që na paraqitet, ne jemi të gatshëm”, theksoi ajo.
Krahas Telekomit, Kurti gjatë ditës ishte edhe në Postën e Kosovës, derisa do të vizitojë edhe KEK-un.