Geci për rënien në numra të LDK-së: Përveç Abdixhikut, përgjegjës janë edhe strukturat që kundërshtuan uljen në tavolinë me VV-në

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK, Gani Geci ka bërë një analizë të gjatë në lidhje me rëniën e madhe të LDK-së në zgjedhjet e djeshme. Ai ka thënë se çdo afrim apo tentativë afrimi i LDK-së me PDK-në, i kushton LDK-së me humbje të rëndë votash elektorale, dhe për këtë ka thënë…

Lajme

29/12/2025 11:12

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK, Gani Geci ka bërë një analizë të gjatë në lidhje me rëniën e madhe të LDK-së në zgjedhjet e djeshme.

Ai ka thënë se çdo afrim apo tentativë afrimi i LDK-së me PDK-në, i kushton LDK-së me humbje të rëndë votash elektorale, dhe për këtë ka thënë se është fakt i përsëritur në histori.

“E njëjta gjë ndodhi në vitet 2006–2007, kur Fatmir Sejdiu u afrua me Hashim Thaçin dhe PDK-në. Në atë periudhë LDK-ja u përgjysmua. Kundërshtarët e këtij afrimi u përjashtuan nga LDK-ja dhe si rezultat u formua LDD-ja, ku pjesë isha edhe unë. Vetëm më pas filloi një rikuperim i ngadalshëm dhe i vështirë i elektoratit të LDK-së. Më vonë, Fatmir Sejdiu mori dy këshilltarë: Isa Mustafën për ekonomi dhe Vjosa Osmanin për çështje juridike. Isa Mustafën e bëri kandidat për kryetar të Prishtinës, ndërsa Vjosën e dërgoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës. Që të dy u dëshmuan si karrieristë të përbetuar.Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani u forcuan në elektoratin e LDK-së pikërisht duke kundërshtuar afrimin e LDK-së me PDK-në”, ka shkruar Geci.

Ai ka thënë se çdo kush që e kundërshtonte afrimin mes LDK-së dhe PDK-së, qoftë edhe me vetëm fjalë apo në Facebook, rritej politikisht brenda LDK-së, e për çka ka thënë se shpesh më shumë përfitonin ata që kundërshtonin me fjalë se ata që kundërshtonin me vepra.

“Isa Mustafa u shndërrua në figurë të madhe në LDK kur filloi ta kundërshtonte afrimin e Fatmir Sejdiut me Hashim Thaçin dhe koalicionin me PDK-në. Me kauzën “kurrë me PDK-në”, ai u forcua: nga kryetar i Prishtinës u bë kryetar i LDK-së, duke e tradhtuar Fatmir Sejdiun dhe duke u afruar më pas vetë me Hashim Thaçin. Ndërkohë, Vjosa Osmani, duke kundërshtuar afrimin me PDK-në, vazhdonte të rritej brenda LDK-së. Por kauza e Isa Mustafës “kurrë me PDK-në” ra në momentin kur ai vetë bëri koalicion me PDK-në. Menjëherë filloi rënia e tij politike dhe e reputacionit të tij. Në të kundërt, kundërshtimi i Vjosa Osmanit ndaj këtij koalicioni e rriti edhe më shumë autoritetin e saj brenda LDK-së, ndërsa atyre që e përkrahnin koalicionin me PDK-në u binte autoriteti: Agim Veliu, Lutfi Haziri, Skënder Hyseni e të tjerë. Vjosa rritej, të tjerët binin”, ka spjeguar historikun Geci.

Ai e ka përmendur edhe 2019-tën, kur në Kuvendin e LDK, Vjosa Osmani iu bashkua Isa Mustafës

“Më pas, PDK e tradhtoi Isa Mustafën, njësoj siç e kishte tradhtuar më herët edhe Fatmir Sejdiun. Në zgjedhjet e vitit 2019, LDK u detyrua ta kandidonte Vjosa Osmanin për kryeministre për shkak të rritjes së autoritetit të saj. Më pas ndodhi pandemia dhe prishja e koalicionit”, ka shtuar Geci.

Ai përmendi kohën kur Albin Kurti e largoi Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme, që e quajti “lojë me zgjuarsi” të Kurtit, ndërsa gabim fatal e quan Geci prishjen e koalicionit me VV-në.

“U formua qeveria e Avdullah Hotit, por Hoti nuk arriti të bëhej lider real i LDK-së. Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rrëzimit të qeverisë së tij, pasuan zgjedhjet e vitit 2021. Vjosa formoi GUXO-n dhe bëri koalicion me LVV-në. LDK-ja u përgjysmua sërish. Në shkurt të vitit 2025, trajektorja e LDK-së filloi të rritej falë votuesve që më herët kishin kaluar te GUXO dhe LVV-ja. Por pas nëntë muajsh bllokade institucionale, LVV e sulmoi LDK-në për shkak të afrimit të saj me PDK-në dhe, në zgjedhjet e fundit, LDK-ja u kthye përsëri në gjendjen e vitit 2021”, ka shtuar Geci.

Ai ka thënë se që në fillim dihej se po përsëritej i njëjti skenar, e që thotë se disa e arsyetonin me “lodhje të elektoratit”.

“Personat që e sollën LDK-në në këtë gjendje janë të njëjtët: kundërshtarët e koalicionit me LVV-në. Ata kanë emra dhe mbiemra, dhe kryetari i LDK-së i njeh shumë mirë. Faji për mosformimin e institucioneve iu faturua LDK-së. Votuesit që ishin kthyer te LDK-ja u kthyen sërish te LVV-ja. LDK humbi rreth 60 mijë vota nga shkurti deri në dhjetor. LVV i organizoi zgjedhjet në kohën më të përshtatshme për vete. Edhe kjo është politikë. Politika është arti i së mundshmes”, ka shtuar Geci.

Ai ka thënë se pa u bashkuar krahët e thyer të LDK-së dhe pa u distancuar qartë nga PDK, nuk shihet në horizont ndonjë ngritje reale e saj.

“Nuk është përgjegjës vetëm kryetari i LDK-së. Përgjegjës janë strukturat që refuzuan uljen në tavolinë me LVV-në dhe e shtynë LDK-në drejt opsionit më të keq të mundshëm. Nga dy të këqija, zgjodhën më të madhen. LVV funksionoi edhe përmes propagandës, edhe përmes shpërndarjes së 100 eurove nga paratë e taksapaguesve. Kur qytetari sheh 100 euro më shumë në konto një javë para zgjedhjeve, vota shkon aty. Askush nuk e sheh faturën e rrymës – por e sheh shumën në konto”, ka shtuar Geci. /Lajmi.net/

Postimi i plotë i tij: