Qytetarët e Mitrovicës tregojnë pritshmëritë e tyre për zgjedhjet parlamentare

Qytetarë nga Mitrovica e Jugut kanë vlerësuar pozitivisht procesin zgjedhor, duke theksuar se votimi po zhvillohet i qetë, i rregullt dhe pa probleme të theksuara administrative. Abbe Rushiti tha për KosovaPress se gjithçka ka shkuar sipas rregullave dhe shprehu pritje që këto zgjedhje të sjellin përmirësime në jetën e qytetarëve. “Gjithçka ishte në rregull. Një…

Lajme

28/12/2025 12:16

Qytetarë nga Mitrovica e Jugut kanë vlerësuar pozitivisht procesin zgjedhor, duke theksuar se votimi po zhvillohet i qetë, i rregullt dhe pa probleme të theksuara administrative.

Abbe Rushiti tha për KosovaPress se gjithçka ka shkuar sipas rregullave dhe shprehu pritje që këto zgjedhje të sjellin përmirësime në jetën e qytetarëve.

“Gjithçka ishte në rregull. Një Kosovë më e mirë, besoj se mund të jetë edhe më mirë. Këto janë zgjedhjet që i presim”, u shpreh ai.

Edhe Ejup Rushiti vlerësoi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në përgjithësi.

“Procesi ka shkuar shumë mirë, është duke u zhvilluar në rregull dhe shpresoj të vazhdojë kështu në gjithë Kosovën. Votuam, gjithçka ishte në rregull. Presim më të mirat”, tha ai.

Adnan Ademi tha se nuk ka pasur asnjë vërejtje gjatë votimit dhe shprehu shpresë për ndryshim pozitiv.

“Shumë mirë, absolutisht asgjë, gjithçka është në rregull. Presim ndryshim, më mirë se çka ka qenë. Inshallah fiton ai që e meriton dhe e çon shtetin përpara”, u shpreh Ademi.

Ndërkohë, Sami Zeka theksoi se procesi ka qenë i qetë edhe pse, sipas tij, numri i madh i kandidatëve kërkon më shumë kohë dhe energji. Ai tha se nga këto zgjedhje pret forcim të mëtejmë të shtetit.

“Në përgjithësi mirë, nuk pashë diçka problematike në aspektin administrativ. Pres një konsolidim më të fortë të Kosovës, si në aspektin e sovranitetit dhe ligjshmërisë, ashtu edhe në përfaqësimin ndërkombëtar dhe raportet me partnerët. Besoj se do të rritet besimi i qytetarëve në institucione dhe ky është qëllimi final i këtyre zgjedhjeve”, deklaroi Zeka.

Procesi i votimit po vazhdon i qetë, ndërsa qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike pa pengesa.

Sot po zhvillohet procesi i votimit në të gjithë teritorin e Republikës së Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, të shpallur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas mungesës së marrëveshjes politike për formimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt 2025.